Nesër serbët manifestojnë “Vidovdanin”, vjen thirrja për Kosovën: Kujdes nga skenarët e Vuçiqit synon edhe viktima!

Ditë më parë, Manastiri i Deçanit njoftoi se për shkak të sigurisë në veri të Kosovës, ceremoninë e Vidovdanit, që është më 28 qershor (nesër), nuk do ta mbajnë në vendin e zakonshëm, por në manastirin e Graçanicës.

Në lidhje me këtë është lëshuar edhe një njoftim nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, ku mes tjerash thuhet se këtë e vendim e kanë marr për arsye se sipas tyre, Policia e Kosovës nuk mund të sigurojë kushte për siguri.

“Peshkopi Teodosije sot ka marrë vendim që për shkak të shqetësimeve mbizotëruese të sigurisë, ceremonia përkujtimore tradicionale e Vidovdanit e planifikuar për 28 qershor nuk do të mbahet në vendin e saj të zakonshëm. Në vend të kësaj, do të zhvillohet në Manastirin e Graçanicës”, njoftoi Manastiri i Deçanit.

Vlen të theksohet se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq paralajmëroi se me 28 qershor, pikërisht në këtë festë, “gjithçka do të shihet më qartë” dhe se “serbët e Kosovës do të nisin hapa drejt lirisë së tyre”.

Gjithashtu, Vuçiq, ditë më parë tha se në Vidovdan, serbët do të “ndërmarrin hapa aktivë në rrugën drejt lirisë, në përputhje me normat juridike ndërkombëtare”.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan – rreth 10 kilometra larg Prishtinës.

Në dy vjetët e fundit atje kishte edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

Madje, gjatë ditës së sotme, qytetarë serbë u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku u paraqit një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.

Në “Deklaratën e Vidovdanit” thuhet po ashtu se, nëse Prishtina vazhdon me aktivitetet dhe arrestimet e saj, serbët në Kosovë do të detyrohen t’u përgjigjen “të gjithë atyre që na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes”.

“Ne do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për të qëndruar dhe mbijetuar në këto zona dhe për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet tona”, thuhet në dokument.

Në tubimin në Graçanicë foli kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiq, i cili i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “t’i mbrojë serbët nga autoritetet e Kosovës”, por nuk specifikoi se për çfarë rreziku potencial bëhet fjalë.

“Ne nuk kemi problem me popullin shqiptar, ne kemi problem me një njeri, kemi problem me Kurtin dhe regjimin e tij”, tha Jevtiq.

Gazeta “Bota sot” u ka dërguar pyetje Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës në lidhje me masat e marra për manifestimin e nesërm të “Vidovdanit”, por që nuk ka marrë përgjigje për këtë çështje.

Mirëpo, në lidhje me gjithë këto paralajmërime nga përfaqësuesit serbë, folën ekspertët e sigurisë.

Madje, ata parashikuan edhe disa nga skenarët që Serbia e Vuçiqit i ka përgatitur për nesër, derisa kishin edhe disa thirrje për organet e rendit të Kosovës.

Halimi: Aktorë të skenarëve të Vuçiqit janë agjentët e shërbimit sekret të tyre dhe qytetarët naiv

Image

Armend Halimi

 

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se Serbia e Vuçiqit po përgatit skenarë për shkaktim të incidenteve.

Sipas tij, kjo po bëhet me qëllim të prishjes së imazhit të Kosovës.

Serbia në çdo rast, me çdo mjet e metodë, përgatit skenarë me regji të aktorit Vuçiq, madje me skenarë qoftë edhe të viktimizimit të serbëve, vetëm e vetëm që të shënohet ndonjë incident e viktimë, me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kosovës. Në këta skenarë sigurisht që aktorë janë agjentët e shërbimit sekret të tyre dhe qytetarët naiv, të detyruar e manipuluar.”, deklaroi ai.

Halimi kërkoi nga institucionet e vendit që të bëjnë strategji për manifestimin e “Vidovdanit”.

Andaj, institucionet e sigurisë duhet ngritur strategji të posaçme me rastet sikur ‘manifestimi’ i Vidovdanit, për t’i hetuar me kohë këta skenarë për t’ia dështuar filmat e regjisorit të marrë, Vuçiq”, tha ndër të tjera Armend Halimi për “Bota sot”.

Shala: Në datën 28 qershor mund të kemi skenarë të ndryshëm

Image

Drizan Shala

FOTO GALERI

Kurse, eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se në bazë të raportimeve, mekanizmat e sigurisë në vendin tonë kanë marrë masa për të përcjellë manifestimin e “Vidovdanit”.

“Situata e sigurisë nga mekanizmi i sigurisë së Kosovës mund të konkludohet që ngjarja që pritet të mbahet ditën e nesërme në Graçanicë kanë marr masat adekuate për të mbar vajtur gjithë procesin e kësaj ngjarje”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Shala potencoi faktin se organet e rendit në Kosovë janë përballë me situata të tilla, kështu që kanë njohuri për atë se çfarë janë në gjendje të bëjnë serbët.

“Organet e rendit mund të thuhet që me situata të tilla janë ballafaquar edhe në të kaluarën nga paraqitjet e grupeve ekstremiste nacionaliste serbe duke krijuar dhe formuar platforma politike në tentative për përmbysje të rendit kushtetues”, theksoi eksperti i sigurisë.

Në fund, ai tha se nesër mund të ketë skenarë të llojllojshëm, por që nuk duhet assesi të bien pre e provokimeve të serbëve, pasi ky është edhe qëllimi i Vuçiqit.

“Në datën 28 qershor mund të kemi skenarë të ndryshëm, por që të gjithë do të jenë në formatin provoko por mos vepro duke tentuar që të nxiten organet e rendit për veprim, ku pastaj do të përdoret nga qeveria e despotit serb Vuçiq si poen për formimin e botës serbe”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme