Nesër vazhdon seanca konstituive, VMRO dhe LSDM edhe sot përplasen

Përplasjet mes partive maqedonase janë rikthyer menjëherë pas festave dhe një ditë para vazhdimit të seancës konstituive në parlament për zgjidhje të kryetarit për Komisionit për zgjedhje dhe emërime, por dhe kryetarit të Kuvendit. As sot nuk kanë munguar akuzat nga VMRO-DPMNE kundër LSDM-së. Në kumtesë për media, nga partia e Gruevskit, thonë se Zoran Zaev dhe kryesia e partisë së tij, po e shesin interesin kombëtar vetëm për të hyrë në pushtet. Nga VMRO thonë se Zaev dhe partia e tij me këmbëngulje po e shtyn Platformën e Tiranës dhe nuk tërhiqet nga realizimi i saj.

“Krimineli Zaev të gjithë këtë e bën shumë hapur dhe pa turp i mashtron qytetarët dhe votuesit e tij. Muhamed Zeqiri nga LSD personalisht pranoi se LSD ka pranuar gjithçka nga platforma e Tiranës. Zaevin e demantoi edhe Zijadin Sela i cili publikisht tha se pa zbatimin e Platformës së Tiranës nuk hyn në Qeveri”, kanë thënë nga VMRO-DPMNE.

Por, në komunikatën e saj për media, nga LSDM thonë se shumica e re parlamentare e ka për obligim të mbrojë vendin nga politikat destruktive të Nikolla Gruevskit dhe Gjorge Ivanovit.

“Që të jetë mëse e qartë, përsërisim se Gruevski kot lutet që të ulet në tryezë dhe të negociojë. Amnisti nuk ka! Do të ketë shtet juridik që do të vlejë për të gjithë njëlloj. Gruevski nuk ka të drejtë të ofroj 51 deputetë të zgjedhur nga VMRO-DPMNE, si të jenë pronë e tij. Së pari, shumica parlamentare tanimë ekziston dhe askush më nuk po e kërkon këtë nga ai!”, kanë reaguar nga LSDM.

Në kumtesën e saj LSDM thotë se nuk varet nga Gruevski nëse, disa nga deputetët opozitarë të VMRO-DPMNE-së do ta gjejnë mendje të shëndoshë dhe do të përkrahin reformat në formimin e qeverisë së re reformatore. Ndërkohë, vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për nesër në ora 11, ku deputetët do të duhet të vazhdojnë diskutimet e tyre për formimin e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.

Mefail Ismaili /SHENJA/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme