Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Nexhat Daci ka folur për proceset e vështira nëpër të cilat po kalon Kosova, mos-koordinimin e spektrit politik, dallimet e mëdha në mënyrën se si e shohin zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Ai ka deklaruar se i beson rrugës që po e ndjekë Presidenti Thaçi sa i përket kërkesës për bashkëngjitjen e Kosovës Lindore. Në një intervistë për Botën Sot, sipas tij, nëse shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit mbesin kështu si sot, do të ishte zgjidhja më e keqe për ta por edhe për Kosovën edhe për shqiptarët.
“Ujmanin e ka ndërtuar Kosova me parët e Kosovës, Ujmani vetëm afër 9% të tij është në territor të Serbisë, e ka paguar Kosova, është i Kosovës dhe do të mbetet i saj, krejt luftërat botërore me u fituar. Mjerisht, një numër i madh i shqiptarëve gjithandej, ose kanë fobi ndaj Luginës ose mjerë ata se sa të varfër janë në mendje dhe shpirt. Nuk ka pas dy Mitrovica kurrë, tash pas lufte kanë ndodhë dhe nuk do të ketë në të ardhmen dy Mitrovica.I kam dëgjuar disa duke thënë se Gjykata Ndërkombëtare i ka caktuar kufijtë, ata që thonë ashtu ju them unë se dy lidhje me tru si kanë. GJND ka dhënë vendim të drejt juridik që Kosova sipas të drejtës ndërkombëtare e ka shpallë pavarësinë e vetë, s`është marrë me definim kufijsh. Mua kur nuk kanë mund me më gjetë ndonjë behone, më kanë thënë hajt se Daci i Serbisë. Lugina duhet të jetë shumë shumë e kujdesshme në prezantimin e rezultateve të referendumit të vetë (1992) të luftës së UÇPMB-së, të cilën pa kufi e ka ndihmuar Kosova dhe le të dihet se ky është fundi i historisë, se nëse mbesin kështu si sot, do të ishte zgjidhja më e keqe për ta por edhe për Kosovën edhe për shqiptarët. Unë jam duke besuar në rrugën të cilën po e ndjek presidenti Thaçi. Kosova e ka në këtë proces një fat të mirë, se historianët, ekonomistët dhe gjeografët e Luginës qe 20 vite janë duke i përgatitur hartat dhe tani janë të gatshme, ku dhe çka është. Gjithmonë është punuar me këtë ide, kjo ide ka qenë prej fillimit të veprimtarisë time që nga viti 1968 kur kam ardhur në Prishtinë e deri sa të vdes”, ka thënë veç tjerash Daci.