Nezir Kraki: Macron fiton – Franca s’lejon “aksidente demokratike”

Pas një kampanje të paparë ndonjëherë në Francë për nga dallueshmëria dhe përçarja, francezët sot zgjedhin presidentin e tyre në mes dy kandidatëve – liderit centrist të “En Marche!”, Emmanuel Macron, dhe djathtistes ekstreme të Frontit Nacional, Marine Le Pen.

E veçantë për tërësinë, por edhe specifikat, kjo garë mes dy kandidatëve që s’vijnë nga mainstreami politik – s’janë kandidatë të partive tradicionale – pritet të jetë definuese për të ardhmen e Francës, por mbase edhe vet Bashkimit Europian.

Sondazhet para zgjedhjeve kanë favorizuar Macron-in me rreth 62 për qind të votave kundrejt 38 për Le Pen, por gara e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mes të Donald Trump dhe Hillary Clinton tregoi se sondazhet mund të jenë veç pasqyrë mashtruese – pasi Clinton printe para zgjedhjeve e në fund Trump fitoi.

Megjithatë, ligjëruesi i politikave të BE-së në Francë, Nezir Kraki, thotë se Franca e francezët s’lejojnë “aksidente demokratike” dhe se Macron pritet të fitojë, ashtu siç edhe thonë sondazhet.

“Sot pritet të fitojë Emmanuel Macron. Debati i fundit përballë Marine Le Pen, ku u pa fushës që Le Pen program të vetëm e kishte urrejtjen dhe ksenofobinë, sikur e ka konsoliduar këtë rezultat në opinion francez. Surpriza zgjedhore apo siç i quaj unë ‘aksidente demokratike’ të tipit Trump nuk mendoj se do të kemi edhe këtë radhë”, ka thënë ai në një intervistë të shkurtër për Klan Kosovën – deri sa francezët po hedhin votën e tyre për presidentin e pesë vjetëve të ardhshme.

Kraki ka folur edhe për çudinë e prodhuar nga elektorati francez që në rrathët paraprak eliminoi kandidatët e partive tradicionale – të Partisë Socialiste e Republikane.

“Eklipsimi i dy kampeve politike klasike, Partia Socialiste e majtë dhe Republikanët e djathtë, ka ndodhur për herë të parë në këto zgjedhje. Kësisoj, rezultati i sontëm do e vulos definitivisht skenën e re politike franceze me role krejtësisht të reja për partitë ekzistuese. Kjo medoemos do prodhojë edhe qasje të reja politike si për çështjet e brendshme ashtu edhe për politikën e jashtme franceze”.

Kraki, që personalisht favorizon Macron-in, thotë se fitorja e tij është e rëndësishme edhe për të ardhmen e përbashkët të popujve europianë brenda Bashkimit Europian, kundrejt fitores eventuale të Le Pen, kandidate që do lidhje më të forta me Rusinë dhe euroskeptike që e sheh Francën jashtë BE-së.

“Me fitoren e pritur të Emmanuel Macron, Franca do mbetet vend i hapur ndaj Europës duke e forcuar pozitën e saj dhe te Bashkimit Europian përballë blloqeve ekonomike dhe politike siç janë Rusia dhe Kina sot”, pohoi Kraki për Klan Kosovën.

Image result for nezir kraki

Macron, i përkrahur shumë nga perëndimi, nuk është fort i pëlqyer nga shtete të tjera siç është Rusia, ndaj ai, në ditën e fundit të kampanjës, u bë target i sulmeve kibernetike, që besohet se gjenezën e kanë në Rusi.

Por, Kraki mendon se ky sulm, i projektuar për t’i bërë dëm atij, s’e ka prekur integritetin e francezit 39 vjeçar, dhe ndikim i dokumenteve që rrjedhën ilegalisht në platformat online s’do kenë fare efekt dhe ndikim në rezultatin final të zgjedhjeve.

“Me gjasë, piratët e rrjeteve ruse janë në origjinë të sulmit kibernetik ndaj lëvizjes En Marche! të Macron, duke e bërë tentativën e fundit për ta ndihmuar kandidaten anti-europiane, anti-gjermane dhe anti-amerikane, Marine Le Pen. Megjithatë, kjo duket se iu ka shkuar huq, sepse asnjë media franceze nuk ka folur për rastin dhe ndikimi në opinion, një ditë para zgjedhjeve, pritet të jetë anekdotik”.

Qendrat e votimit në Francë janë hapur në orën 08:00 derisa shumica prej tyre pritet të mbyllen në orën 19:00 – në disa qytete të mëdha do të votohet deri në orën 20:00.

Rezultati preliminar i zgjedhjeve do të dihet menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, por vulosja zyrtare e tij do bëhet me 11 maj.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme