Gazetar: Adnan Qaili
Shtrenjtohet ngrohja qendrore. Prej 1 nëntorit 58 mijë amvisëri në Shkup do të paguajnë 4,51% më shumë për ngrohje. Meqë fatura e deritanishme ishte 1,800 denarë, me çmimin e ri do t’i shtohen edhe 80 denarë. Bëhet fjalë për konsumatorët që janë kë kyçur në sistemin e EMV-së, ndërsa amvisëritë që furnizohen nga energjia termike e “Hekuranës” dhe nga Ngrohtorja Shkup-Veri, do të kenë fatura pak më të ulëta se më parë, thonë nga Komisioni Rregullator i Energjetikës. Kreu i KRRE-së, Marko Bislimovski tha se vendimi për çmimet nuk është marrë derisa të ketë një garanci të fortë se do të fillojë instalimi i gazsjellësit në urën “Bellasica”.
“Marrja e këtij vendimit ishte e vështirë sepse me të duhej të kthehej huamarrja e qeverisë prej 6 milionë euro, e dhënë në janar 2022. Gjithashtu, gjatë llogaritjes së faktorit korrigjues për shpërndarjen EMV-së, për të mos shkaktuar goditje të mëtejshme çmimi, ne njohim vetëm 20% të atij faktori. Në kushtet kur do të ketë stabilizim të çmimit të gazit natyror, të gjitha këto para gradualisht do t’u kthehen kompanive”, tha Marko Bislimovski, Drejtor i Komisionit Rregullator të Energjetikës.
Komisioni Rregullator i Energjisë ka njohur 5 milionë euro më pak kosto shpenzime për tre kompanitë shtetërore, të cilat furnizojnë 97% të energjisë termike. Vitin e kaluar hyri në treg edhe kompania private. Bislimoski ka kritikuar edhe fillimin e sezonit të ngrohjes, i cili sipas tij është dashur të jetë më i mirë.
“Me këtë vendim, në radhë të parë udhëhiqemi, nga interesat e konsumatorëve. Në periudhën e kaluar jemi përballur me çmimet më të shtrenjta të gazit natyror që kur ekziston shteti ynë i pavarur dhe kemi arritur të ruajmë stabilitetin e çmimeve në fushën e energjisë termike”, theksoi Marko Bislimosvski, Drejtor i Komisionit Rregullator të Energjetikës.
Lidhur me taksën e gazit natyror të vendosur nga Bullgaria, Bislimoski tha se për këtë nuk do të ketë korrigjim në çmimin e ngrohjes. Në tenderin e fundit çmimi është i zakonshëm dhe është në intervalin e çmimit të bursës më të madhe të gazit natyror në Evropë, atë të Holandës, por nuk dihet nëse është përfshirë edhe taksa e re. Kreu i KRRE-së zotohet se në periudhën e ardhshme do të ndërmerren të gjitha masat, sepse Maqedonia në asnjë mënyrë nuk duhet të preket nga kjo taksë, e cila i referohet gazit rus dhe cak nuk ishte Maqedonia, por vendet e tjera. Një nga opsionet, sipas Bislimovskit, është që të rritet kapaciteti i gazsjellësit dhe përmes tij të vijë gazi natyror nga vendet e tjera siç është interkonektori grek. /Alsat.mk