Gazetare: Fatlume Dervishi
Edhe shtatë zyra të tjera plotësuese do të hapen nëpër komuna si vend ku deputetët do të mund të takojnë qytetarët dhe të dëgjojnë nga afër shqetësimet e tyre. Kreu i Kuvendit qëndroi në Gostivar, në hapjen e zyrës së parë plotësuese pas një kohë më të gjatë.
“Ajo që është më e rëndësishme është natyrisht hapja e zyrave. Është një projekt i gjatë në bashkëpunim me NDI-në por është edhe një kërkesë e qytetarëve të kenë mundësi t’i takojnë deputetët, të flasin me ta. Jo secili qytetarë e ka mundësinë që të vijë t’i takojë në Shkup por ideja është që deputetët të kenë zyra në komuna që të mund t’i takojnë qytetarët”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Deri muajin e kaluar ka pasur gjithsej 25 zyra nëpër komuna të caktuara si zyra të deputetëve. Nga ky muaj, do të jenë gjithsej 32. Deputetët e kanë ditën e premte të caktuar si ditë për takime me qytetarët, gjë që rrallë ka funksionuar dhe në fakt është interpretuar si ditë e lirë për ta. Alsat javë më parë vizitoi disa nga zyrat e deputetëve dhe përveç që takoi rastësisht deputeten Merita Koxhaxhiku, e cila ishte në Komunën e Çairit për një aktivitet tjetër, të gjitha zyrat e tjera që i vizitoi ishin të mbyllura.
Zyrat për kontakt mes deputetëve dhe qytetarëve, që nga viti 2010 janë detyrim ligjor. Megjithatë nëse drejtoheni në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit, në pjesën e transparencës së këtij institucioni dhe kërkohen zyrat për kontakt me qytetarët faqja është pa të dhëna. /Alsat.mk