Kosovës nuk i mjaftuan as dy raunde që të sigurojë mbështetje për anëtarësim në organizatën e bashkëpunimit policor, Interpol.
Duke folur para gazetarëve në Dubai, ku edhe u mbajt Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se askush nuk mund të ketë pritur se Serbia nuk do ta pengojë Kosovën në rrugën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Edhe pse në raundin e dytë kundër Kosovës votuan 51 shtete, kurse 16 abstenuan, Thaçi thotë se Kosova ka plotësuar kriteret për anëtarësim në Interpol, e madje as nuk ka pasur nevojë për shumë lobim, transmeton KosovaPress.
Thaçi edhe një herë ka vënë theksin te rëndësia e arritjes së një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, pas së cilës, sipas tij, Kosova anëtarësohet automatikisht në BE, NATO dhe OKB.
“Kjo gjë sot iu mohua padrejtësisht Kosovës, por në të njëjtën kohë përpos zhvillimeve të brendshme më duhet të qartësoj edhe një herë gjithë opinionin në Kosovë se definitivisht Kosova dhe Serbia, në vend që të pengojnë njëra-tjetrën, në vend se të bëhen penguesë për njëra tjetrën në rrugëtimin tonë euro-atlantik, duhet të arrijnë marrëveshjen përfundimtare, atë të normalizimit që nënkupton lëvizje të shpejtë evropiane për të dy vendet, përndryshe do të paguajnë çmim të dy vendet tona duke e penguar njëra tjetrën në këto procese”, u shpreh Thaçi.



