Nga hajdutë tu nuk mund të të shpëtojë asnjë listë e zezë amerikane, por vetëm vetëdija jote!

Sado që dua të përmbahem, nuk ia dal të mos bërtas e të mos ndjejë turbullira në bark kur dëgjojë përfaqësues të VLEN-it, përndryshe kryetar komunash e funksionar të lartë të deridjeshëm të BDI’së, si i kritikojnë bashkëpartiakët e vet të dikurshëm për zhvatjen e pamëshirshme që ia kanë bërë popullit?!
Pra që mendojnë, e mbase edhe besojnë, se mjafton ta ndërrosh partinë, se mjafton të mbulohesh me emblemë të re partiake që populli të harrojë si ke dhënë leje për ndërtim duke ua marrë banorëve lejen për të jetuar njerëzishëm.
Dua të mos merrem më me mjerimin tonë politik, por si të heshtësh kur ndjen si ta plasë barkun ai ish kryetari i komunës, e tani deputet i BDI’së, që e shndërroi në gërmadha Liqenin Treska, si kërkon shqyrtim të pasurisë së politikanëve, me çka dhembjes së zhvatjes ia shton edh atë të përbuzjes.
Shkurt, njeriu nuk mund të përmbahet e të mos klithë kur përballet me diçka aq të paturpshme sa të bënë të ndjehesh i mjerë dhe të pyesësh veten: si mund të heshtin njerëzit e ‘ditur’ të këtij populli kur dëgjojnë e shohin si këta opozitarë e pozitarë tan që i lindi e njëjta nënë – BDI’ja, jo vetëm që të zhvatin por edhe të përbuzin e të mbajnë për budalla!
Ku ta dish mbase ata e kanë kuptuar atë që unë do vdes e kurrë nuk do e marr vesh: se këtë popull nuk ka kush e mbron, andaj ai i ngrati është pajtuar me fatin e të zhvaturit dhe të përbuzurit.
Pra mbase ky popull edhe ka harruar se nga burrështetasit tu hajdut e të pafytyrë nuk mund të të mbrojë e shpëtojë asnjë listë e zezë amerikanë, por vetëm vetëdija dhe guximi yt qytetarë!
Dhe mbase ky popull edhe nuk ka forcë të përballet me të vërtetën se, sikur listat e zeza amerikane t’i përfshinin të gjitha të zezat që i janë bërë këtij populli, ne ndoshta do mbeteshim pa politikanë?! (Kim Mehmeti)/sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme