Gazetare: Fatlume Dervishi
Mbi 44 mijë pushkaliqe dhe fishekzjarrë janë konfiskuar nga policia vetëm gjatë javës së fundit të vitit që shkoi. Për këtë njoftoi Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, sipas të cilit, ka pasur edhe arrestime mbi këtë por edhe mbi baza të tjera shkeljeje, shkruan Alsat.
“Janë arrestuar rreth 50 persona mbi baza të ndryshme, për tregti të jashtëligjshme të drogës, prishje të rendit dhe qetësisë publike, qëndrim të paparaqitur në vend, tregti me mjete piroteknike, falsifikim të kartonit të gjelbër për vetura, dhe posedim të armëve pa leje. … janë dhënë 3598 urdhërpagesa për shkelje të kryera në trafik”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Por sa mjete të tjera piroteknike hynë në vend pa u konfiskuar. Pyetjen e imponon rasti i fundit i arrestimit të Drin Ahmetit, nipit të kreut të BDI-së Ali Ahmeti, i cili më 30 dhjetor u ndalua pasi në veturën që ai drejtonte me targa të Shqipërisë ju gjetën 749 pushkaliqe dhe fishekzjarrë.
Drejtori i Doganave Stefan Bogoev, nuk mohon mundësinë që raste si ky t’i shpëtojnë kontrollit doganor.
“Shpesh ata që kanë më shumë nevojë të hynë dhe të dalin jashtë vendit dinë ta shfrytëzojnë këtë moment dhe kjo na paraqet vështirësi sepse bëhet fjalë për automjete udhëtarësh. E dini se kryesisht fokusi i ekipeve tona, edhe i doganierëve por edhe në terminale është te automjetet e rënda të mallrave. Megjithatë do të isha jo i sinqertë nëse do të thosha se është e mundur që tërësisht të çrrënjoset por ka një përparësi që dëshmohet edhe me numrin e konfiskuar të mjeteve piroteknike”, u shpreh Stefan Bogoev, drejtor i Doganave.
Rasti i Drin Ahmetit është përcjell nga policia në Prokurori. Nëse kjo e fundit vendos që nuk është bërë shkelje penale por vetëm kundërvajtje, i takon MPB-së të caktojë gjobë në para që mund të shkojë nga 200 deri në 500 euro. / Alsat.mk