Atentati me “rrënjë kriminale” në Elbasan mes dyshes së shumëkërkuar Talo Çela dhe Nuredin Dumanit mbetet ende një kryefjalë e procedimit të krimeve të rënda në vendin tonë.
Nisur nga përplasja e dy të fortëve “dikur miq e më pas armiq” nisi edhe atentati në dalje të Elbasanit më pasditen e 29 marsit. Të dy të plagosur, forcat RENEA arritën të prangosin Nuredin Dumanin së bashku me të dashurën e tij dhe besnikun, Henrik Hoxhaj ndërsa Çela mbetet ende i shpallur në kërkim.
Burimet e Gazetës Shqiptare kanë raportuar se aleati më besnik i Nuredin Dumanit, Henrik Hoxha, 40-vjeç është duke bashkëpunuar me SPAK duke ngjallur shpresën se do të zbardhë serialin e ngjarjeve pa autor në zonën e Elbasanit gjatë viteve të fundit.
Të dhënat konfirmuan se Henrik Hoxhaj është duke dëshmuar edhe për vrasjen e Emiljano Ramazanit në Elbasan, dosje kjo që prej më shumë se një viti ndodhet në SPAK.
Aktualisht për këtë ngjarja janë marrë të pandehur, Erjon Alibej alias Agim Shurbi dhe Xhulian Hoxha e Euglen Halili. Dëshmia e Hoxhaj duket se do ndihmojë shumë prokurorët që të zbërthejnë prapaskenën e krimeve në Elbasan dhe njëherësh të sjellë arrestime të tjera. Sipas policisë dhe prokurorisë së Elbasanit, gjatë kohës kur Dumani ka qene në kërkim, Hoxhaj ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me të.
PËR ÇFARË AKUZOHET NUREDIN DUMANI:
I riu ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni, duke çuar vajza shqiptare në Francë, fillimisht me pretendimin për martesë dhe, pasi përfundonin atje, i shfrytëzonte për qëllime përfitimi. Në rast se kundërshtonin, Dumani i kërcënonte me vrasje të familjarëve të tyre.
Pas kësaj, ai u rikthye në Shqipëri duke u përfshirë në një nga grabitjet më të bujshme, atë të vjedhjes së miliona eurove në aeroportin e Rinasit më 9 prill të vitit 2019. Të veshur si forca komando dhe të maskuar me paruke, grupi kreu vjedhjen e rreth 10 milionë eurove, shumë që po transportoheshin jashtë vendit nga një bankë e nivelit të dytë në vend. Nga ngjarja mbeti i vrarë Admir Murataj, i konsideruar si “truri” i grabitjeve të këtyre përmasave. Ishte pikërisht shuma e madhe e parave të grabitura që u bë shkak që marrëdhënia midis Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës të pësonte një krisje të pariparueshme, duke nisur edhe kalvarin e vrasjeve.
Shënjestra e parë e atentateve të dyshes ishte më 2 mars të vitit 2020, kur u ekzekutuan shtetasit Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia, ngjarje e ndodhur në Nishtulla të Durrësit. Shkoza ishte me precedentë penalë në fushën e narkotikëve ku kishte kryer një burgim prej 8 vitesh.
Më pas, radhën e ekzekutimeve e kishin vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia, me origjinë nga Puka dhe banues në Durrës.
Humbja e një shume parash të vjedhura nga grabitja në Rinas dhe të lëna nën ruajtje në servisin e këtyre të fundit, u bë shkak për ekzekutimin e djemve të familjes Haxhia, ngjarje e ndodhur më 24 prill të vitit 2020. Ata u ekzekutuan me kallashnikov brenda makinës së tyre në hyrje të Durrësit, në afërsi të vendit ku u vranë edhe dy personat e tjerë, i zgjedhur me kujdes për të mos u pikasur nga kamerat dhe për t’u larguar me shpejtësi për të humbur gjurmët. Policia thotë se ekzekutimi i 4 personave të cilët merreshin me shitblerje e servis makinash, ka të bëjë me grabitjen e parave në pistën e aeroportit të Rinasit, pasi më herët viktimat kishin bashkëpunuar me Çelën dhe Dumanin.
Ndërkohë që ishin në kërkim nga Policia, Nuredin Dumani dhe Talo Çela nuk e ndalën veprimtarinë e tyre kriminale. Nuredin Dumani u përfshi në vrasjen e Emiljano Ramazanit në qytetin e Elbasanit.
“Ushtari” i Dumanit, Klevis Kapllanaj, vendosi armën e vrasjes në një servis në Peqin, për të fajësuar dy vëllezër si fajtorë, pa e ditur se edhe vetë do të eliminohej.
Më 15 shtator 2020 ekzekutohet pranë banesës së tij Klevis Kapllanaj dhe shkak për ngjarjen ishin paratë e grabitura. Ndërsa numri i kundërshtarëve ishte zvogëluar, tanimë Nuredin Dumani kishte vënë në shënjestër Talo Çelën, duke i vrarë me armë zjarri vëllain e tij, Bujar Çelën, më 17 shtator 2020. Viktima po konsumonte kafen e mëngjesit kur u qëllua me disa plumba brenda lokalit. Pas arrestimit, Dumanit pritet t’i merret një profil ADN-je për të provuar përfshirjen e tij edhe në vrasje të tjera të pazbardhura./GSH