Rreth orës 08:30 nisi kalvari i gjatë i pritjeve për qytetarët, të cilët qëndruan me orë të tëra në ambientet e jashtme, nën diellin përvëlues, në ambientet e Drejtorisë Rajonale Korçë të DPTSHRR-së.
Prej qytetit juglindor mbërritën në redaksinë e Gazetës Shqiptare denoncimet e para, rreth orëve të mesditës! Të paktën, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor pati korrektisinë t’i lajmëronte qytetarët se do të kishte vonesa në ofrimin e shërbimeve!
Në llogarinë e saj në rrjetin social facebook, kjo Drejtori theksonte se do të kishte “luhatje” të sistemit, por nuk përcaktonte se kur do të riniste ofrimi i shërbimeve. DPSHTRR, gjithashtu theksonte se vonesat nuk po ndodhnin për shkak të problemeve të këtij institucioni, por për shkak të gjendjes civile.
Pavarësisht kësaj, Gazeta Shqiptare vendosi të kontaktonte Drejtorin e Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Blendi Gonxhen duke marrë parasysh zanafillën e mbërritjes së denoncimeve.
Zoti Gonxhe konfirmoi të njëjtën gjë, madje shprehu gatishmërinë që institucioni i tij të qëndronte hapur edhe në orët e vona të natës për t’iu ofruar qytetarëve shërbimet e vonuara për shkak të kolapsit të sistemit të gjendjes civile.
Kaloi edhe pak kohë, kur shërbimi u rikthye në normalitet. Menjëherë pas kthimit në normalitet, Gazeta Shqiptare u kontaktua nga Koordinatorja e të drejtës për informim pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Denisa Xhepa. Znj. Xhepa tha në komunikimin me gazetarin Kristo Kote se Gazeta Shqiptare “pretendonte” që kishin ndodhur të tilla vonesa.
Megjithatë, ç’rëndësi kishte se çfarë fjale përdori Znj. Xhepa, kur shërbimi ishte rikthyer dhe qytetarët do të kishin mundësi të kryenin punë dhe të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre pas pritjes sfilitëse nën diellin e nxehtë. Në favorin e saj, Znj. Xhepa shprehu edhe gatishmërinë për të ofruar informacion edhe herë të tjera, nëse problemi përsëritej, apo media kishte pyetje në lidhje me situatën.
Edhe ditën e djeshme, (e shtunë, 16 korrik) kishte probleme me sistemin. Gazeta Shqiptare mori raportime se qytetarët nuk mund të paguanin gjobat e makinave, për shkak të problemeve me sistemin. Po kamatënvonesën për këto gjoba kush do ta paguajë?
Ndërsa ditën e sotme, AKSHI njoftoi se për të përballuar sulmet janë detyruar të mbyllin sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike.
AKSHI u bën thirrje qytetarëve të sensibilizohen për të thyer këtë sulm ndaj interesave kombëtare shqiptare dhe të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mos aksesimit të shërbimeve publike.
Njoftimi i AKSHI-t:
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit i bën me dije qytetarëve shqiptarë se është detyruar të mbyllë përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare për shkak se po përballemi me një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.
Për t’u bërë ballë këtyre goditjeve të paprecedenta dhe të rrezikshme, jemi detyruar të mbyllim sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike.
Ftojmë qytetarët, mediat, bizneset dhe gjithë aktorët e tjerë të sensibilizohen për të thyer këtë sulm ndaj interesave kombëtare shqiptare dhe të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mos aksesimit të shërbimeve publike.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është në gadishmëri të plotë dhe po punon gjatë të gjithë kohë me ekipin e Microsoft, ekipin e Jones Group International, dhe ekipet e kompanive shqiptare në fushën TIK për të mos lejuar që ky sulm kinerbetik të dëmtojë apo cënojë sistemet shqiptare të informacionit.
Në lidhje me situatën ka reaguar edhe Kryeministria, e cila thekson se “Sistemet qeveritare do të qëndrojnë të mbyllura deri në neutralizimin e sulmeve armike”.
“AKSHI po punon me ekipin e Microsoft, me ekipin e Jones Group International dhe kompanitë shqiptare në fushën TIK, për të penguar cënimin e sistemit tonë të informacionit nga ky akt kriminal”, shtoi zyra e shtypit e Kryeministrit Edi Rama.
Njoftimi i plotë:
Shqipëria është gjendur ditën e sotme nën një sulm masiv kibernetik, të pandodhur kurrë më parë.
Sulmi kriminal kibernetik rezulton të jetë i sinkronizuar dhe i sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.
Për të mos lejuar që kjo goditje të dëmtojë sistemin tonë të informacionit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare.
Sistemet qeveritare do të qëndrojnë të mbyllura deri në neutralizimin e sulmeve armike, teksa AKSHI po punon me ekipin e Microsoft, me ekipin e Jones Group International dhe kompanitë shqiptare në fushën TIK, për të penguar cënimin e sistemit tonë të informacionit nga ky akt kriminal./GSH



