Kosova ishte temë në diskutimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjatë ditës së hënë.
Aty u fol për situatën e krijuar në Kosovë, pas agresionit të grupit kriminal serb më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor dhe heroi Afrim Bunjaku.
Në këtë seancë, shteti i Kosovës është përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.
Megjithëse e gjithë vëmendja ishte te Ferit Hoxha, Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili ironizoi me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, për një deklaratë të cilën ajo e tha.
Kryeministrja serbe, në fjalimin e saj pretendoi se në Kosovë, serbët po jetojnë nën “tmerrin e regjimit të Albin Kurtit”, duke thënë se ata po gjuhen me armë zjarri nga shqiptarët, po arrestohen, po gjykohen e çka jo tjetër.
Por Hoxha, në fjalën e tij para të pranishmëve, e demantoi Bërnabiqin, duke i thënë se kur e dëgjoi se çka po fliste, “mendova mos e kam gabuar seancën me ndonjë për Sirinë”.
“Isha i befasuar sinqerisht të dëgjoja analizën e kryeministres (serbe) për situatën në Kosovë. Kontrollova titullin e takimit mos e kam gabuar ndonjë takim për Sirinë. Asnjë prej elementeve që i përmendët, nuk reflektohen në, siç thatë, në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, OSBE-së a EULEX-it, dhe të gjithë këta jetojnë e punojnë në Kosovë. Ka ndoshta probleme natyrisht sikurse në të gjitha vendet tona, përfshirë edhe për mos vendosjen e rripit të sigurisë, por askush s’mund të mohojë se ka ligje moderne, institucione demokratike dhe ka procese ligjore të barabarta për çdo person në Kosovë”, deklaroi Hoxha.
Ai tha po ashtu se Shqipëria nuk do territore të të tjerëve, duke i reaguar përfaqësuesit rus në këtë seancë, i cili e akuzoi Tiranën se po do ta bëjë “Shqipërinë e madhe”.
Ndërkohë, në fjalimin e saj, Osmani tha se Serbia po përpiqet që agresorin ta shndërrojë në viktimë.
“Sot ajo se çka kemi dëgjuar nga Serbia është zgjatje e përpjekjeve për ta nxitur këtë aktin e agresionit”, tha Osmani.
Ajo theksoi se Serbia ka dashur ta shohë Kosovën sikur Krimenë, por që nuk ia ka arritur qëllimit.
“U zu në befasi për shkak të përkushtimit të policisë së Kosovës. Në ditën e sulmit institucionet e Kosovës kanë mbajtur kontakte me praninë ndërkombëtare ashtu siç ka qenë historikisht. Do të vazhdojmë që të bashkëpunojmë me aleatët tanë që t’i kundërvihemi akteve të tilla dhe që t’i parandalojmë që ato të mos ndodhin më”, deklaraoi presidentja Osmani.
E para e shtetit të Kosovës shtoi se këto grupe terroriste dhe paramilitare janë financuar, trajnuar, armatosur dhe strehuar nga një burim, e që është Serbia.
Osmani në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e ka përmendur vrasjen e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, më 24 shtator nga grupi i serbëve që kryen agresion në Banjskë të Zveçanit.
Ajo tha se i ndjeri Afrim Bunjaku e humbi jetën duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës.
“Më 24 shtator qytetarët e Kosovës u zgjuan me lajmin për vrasjen e një rreshteri të Republikës nga një akt i agresionit nga Serbia dhe grupet paramilitare. Dua të falënderoj heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun, që e humbi jetën duke e mbrojtur integritetin territorial të Kosovës”.
“Pushoftë në paqe. Kjo duhet të na shërbejë të gjithëve si kujtim që u ngritë kundër forcave autoritare jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në gjithë botën”, ka thënë Osmani.
E para e shtetit doli me një mori kërkesash për OKB-në që duhet të ndërmarrin ndaj Serbisë, në mesin e tyre edhe vendosjen e masave.
“Kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe kërkesa jonë është e qartë. Kosova ka nevojë për garanci substanciale në kuadër të kornizës euroatlantike që të ecim përpara duhet të përqendrohemi që Serbia të frenohet nga sulmet terroriste në Kosovë, dhe hetim e sulmit të fundit terrorist”.
“Për më tepër rritja e sigurisë në kufijtë e Kosovës me Serbinë, miratimi i masave të rrepta ndaj Serbisë siç kërkohet. Një rezolutë do të shënonte zotimin për të ruajtur paqen dhe sigurinë në tërë rajonin dhe në tërë kontinentin e Evropës, kjo do të thoshte se demokracia nuk është e heshtur përballë regjimeve autokratike”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani i përmendi edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së sonte.
Ajo ka thënë se Serbi është duke i shkelur të drejtat e njeriut me veprimet që bënë ndaj shqiptarëve të Luginës.
“Spastrimi etnik nëpërmjet mjeteve administrative siç kualifikohet nga Komiteti i Helsinkut për të Drejtat e Njeriut, ku në Luginë e Preshevës Qeveria serbe pa gjurmë edhe pa nxjerrë ndonjë njoftim me shkrim apo dokument i shlyen shqiptarët nga regjistri i popullatës në Serbi, duke i mohuar të gjitha të drejtat e tyre themelore”.
Teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar ekstradimin e personave të dyshuar në rastin e Banjskës.
Kështu deklaroi zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatës e Kombeve të Bashkuara Robert Ëood.
“ShBA e dënon sulmin e 24 shtatorit. ishte një akt që vuri në rrezik jetën e qytetarët e Kosovës. Duhet të ketë përgjegjësi të plotë bazuar në ligj”, tha Ëood.
Derisa përfaqësuesja e Francës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Nathalie Estival-Broadhurst, ka thënë se Serbia dhe Kosova duhet që të punojnë së bashku për të dalë nga situata në të cilën janë tani, pas sulmit të 24 shtatorit.
“Ne presim nga palët që të jenë pa rezerva në zotimet dhe angazhimin e plotë të tyre për zbatimin e zotimeve nga të gjitha marrëveshjet e arritura. Kërkojmë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në to”, ka thënë Estival-Broadhurst.
Ambasadori i Japonisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Ishikane Kimihiro, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i respektojnë me përpikëri të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.
“Shprehim brengat tona për të dyja palët që të ushtrojnë maturi të përmbahen nga veprimet e dhunshme që mund të qojnë në deeskalim të situatës, për sulmet e 24 shtatorit autorët duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë”.
“Situata në veri të Kosovës duhet të stabilizohet. Palët të respektojnë me përpikëri obligimet nga marrëveshjet e arritura”, ka thënë Kimihiro.
Por, qasje krejtësisht tjetër pati përfaqësuesi i Rusisë Vasily Nebenzya.
Në fjalën e tij, ai tha se në Kosovë ka përpjekje për të ushtruar kontroll të plotë mbi popullatën serbe.
“Në prill, Prishtina i solli kryetarët e emëruar, janë zgjedhur me një pseudo-zgjedhje me 3.4 për qind të pjesëmarrjes. Ato u bojkotuan nga serbët. ShBA dhe BE-ja i njohu si të shëndosha. Si pasojë e drejtpërdrejtë kryetarët e tillë morën me dhunë ato objekte dhe më pas sollën aktet e dhunës”, tha ai.
“Është më brengosëse shfaqja e KFOR-it krah shqiptarët duke i goditur me pushkë automatike që po protestonin. Ka pasur të lënduar nga të dyja palët dhe për fat nuk ka pasur viktima”, shtoi Nebenzya.
Ai tha se u shpreh i habitur me insistimin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, për ta futur edhe Rusinë në atë se çka po ndodh në Kosovë.
Presidentja Vjosa Osmani i ka reaguar ambasadorit të Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, pas fjalimit të tij në seancën e sotme për agresionin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Ajo i tha atij se Rusia po bën propagandë ndaj popullit të Kosovës.
“Ishte e vështirë të kuptohet nga Federata Ruse se cila pjesë ishte e saktë dhe cila jo. Rusia përsëri e përdori propagandën kundër popullit të Kosovës dhe atyre që luftuan për lirinë e Kosovës, UÇK-ja”.
“Dallimi më i madh mes Kosovës dhe Serbisë është sepse ne nuk frikësohemi nga drejtësia, për këtë arsye i kemi krijuar Dhomat e Specializuara sepse nuk do të lejojmë që të krijohen paralele ndërmjet atyre që kanë kryer gjenocid dhe atyre që e kanë mbrojtur popullin tonë nga gjenocidi”, ka thënë Osmani.
Presidentja Vjosa Osmani në Këshillin e Sigurimit të OKB-sa ka thënë se në tavolinën e dialogut në njërën anë është kryeministri Albin Kurti, ish i burgosur i Serbisë, ndërkaq në anën tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i propagandës së Millosheviqit.
Ajo tha se Kosova ka shumë njerëz që ulen në tavolinë për të luftuar për paqen dhe pajtimin.
“E keni dëgjuar Rusinë dhe Bërnabiqin duke thënë për të ashtuquajturin “terrori Kurti”. Albin Kurti është kryeministër i Republikës së Kosovës, por gjithashtu ishte i burgosur i luftës, i torturuar deri në vdekje në burgjet e tyre. Ndërsa, presidenti i Serbisë gjatë atyre vjetëve ishte ministër i propagandës të Millosheviqit, dhe ata publikisht kanë deklaruar edhe sot përfshirë edhe mbrëmë se do të kishin dëshiruar që Kurtin kurrë të mos e kishin liruar të gjallë nga burgu”.
“Kosova ka zgjedhur dialogun, në atë tavolinë të udhëhequr nga delegacioni i BE-së, në njërën anë e kemi kryeministrin e Kosovës, një të burgosur politik dhe në anën tjetër presidentin e Serbisë, qe e kishte torturuar atë kur ishte pjesë e regjimit të Millosheviqit. Nuk do të heqim dorë kurrë nga dialogu si mënyra e vetme për të zgjidhur dallimet ndërmjet nesh sepse Kosova është vend plotë me Mandela, Ganda dhe Martin Luther King. Njerëz që luftojnë për të ardhmen, paqen dhe pajtimin”, ka thënë Osmani. /Klankosova.tv.