Rama ka njoftuar se nga sot, 17 mars 2025, të gjithë udhëtarët që udhëtojnë nga çdo qytet i Kosovës dhe arrijnë në “Stacionin e Autobusëve” në Prishtinë do të kenë mundësinë të përfitojnë një biletë gjithëditore falas për transportin urban në kryeqytet.
Bileta gjithëditore do të inkorporohet automatikisht në biletën ndërurbane të udhëtarëve.
“Të gjithë udhëtarët që vijnë nga çdo qytet i Kosovës në ‘Stacionin e Autobusëve’ në Prishtinë, njoftohen se në biletën e tyre ndërurbane do të inkorporohet falas bileta gjithëditore për transportin urban në kryeqytet. Ky vendim ndodh për herë të parë në historinë e transportit urban në Kryeqytet dhe është pjesë e reformës së transportit publik urban, që shënon një hap të madh në përmirësimin e shërbimeve publike. Vendimi hyn në fuqi nga sot, më datë 17.03.2025”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai ka shtuar se ky është edhe një hap tjetër i rëndësishëm në procesin e reformës për transportin publik në kryeqytet, nga i cili do të përfitojnë edhe qytetarët e kryeqytetit.
“Me këtë organizim të ri të transportit publik, kryeqyteti do të ketë më pak vetura, më pak trafik, më pak ndotje ambientale dhe më shumë organizim dhe siguri. Bashkë, po ndërtojmë një kryeqytet më funksional dhe më të sigurt për të gjithë”, ka thënë Rama.