Nga zëvendësdrejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike, te shefi i Shëngjinit! Ndryshimet në policinë e Lezhës

Një muaj ka kaluar që nga prezantimi i Vehbi Bushatit në krye të Drejtorisë Vendore të Policisë së Lezhës. Ky emërim është shoqëruar me ndryshime edhe të strukturës drejtuese të bluve.

Pak javë pas marrjes së detyrës nga Bushati, janë lëvizur edhe zëvendësdrejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike, Sadri Ramçaj, shefi i Komisariatit të Lezhës, Ermal Ajdini, shefi i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, si dhe shefi i Stacionit Policor të Shëngjinit.

Burimet konfirmojnë se, zëvendësdrejtor për Rendin e Sigurinë Publike i Policisë vendore është emëruar Alfred Elezi, shef Komisariati në Lezhë Artur Hebaj, si dhe shef i Stacionit Policor të Shëngjinit është emëruar Ardit Çela.

Me këto ndryshime synohet t’i jepen impulse të reja punës së Policisë në Qarkun e Lezhës, i cili vijon të jetë jo pak problematik për sa u përket ngjarjeve kriminale, por edhe veprave të tjera penale, të cilat përgjatë vitit 2021 kanë njohur rritje.

Sipas burimeve që në javët e para të punës së tij në Lezhë, drejtori Vehbi Bushati ka mbledhur të gjithë efektivët e Policisë, që nga shefat deri te policët e thjeshtë, duke analizuar punën e secilit komisariat, si dhe u ka dhënë porosi, detyra e urdhra të prerë në luftën pa kompromis ndaj kultivimit të kanabisit, si dhe të trafikut apo shitjes së tij, pa asnjë tolerim apo përfshirje të Policisë në këtë drejtim.

Gjithashtu, objekt i porosive të tij kanë qenë edhe lufta ndaj krimit të organizuar, zbardhja e ngjarjeve të vjetra dhe goditja e armëmbajtjes pa leje.

Nga momenti i ardhjes së Vehbi Bushatit në krye të Policisë së Lezhës e deri më sot, janë zhvilluar disa operacione, ku është goditur një tentativë për shtëpi bari në Kurbin, 2 raste shitje droge, 1 rast i armëmbajtjes pa leje dhe janë prangosur disa persona në kërkim. Prej muajit mars të këtij viti, Vehbi Bushati po drejton Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, duke vendosur ne ketë post Oltion Bistrin, i cili mori drejtimin e Forcës Operacionale.

Kush është Vehbi Bushati?

Vehbi Bushati ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit. Më herët, Bushati u transferua drejtor i policisë në Shkodër pas një karriere të gjatë e të suksesshme në Policinë e Shtetit, ku ka mbajtur detyra të rëndësishme si shef komisariati në disa rrethe të vendit, zëvendësdrejtor dhe drejtor në qarqet: Shkodër, Lezhë, Dibër, Korçë, Vlorë.

Po kështu Bushati ka mbajtur detyra të rëndësishme dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si Drejtori i Krimeve e së fundi prej 4.5 vjetësh mban detyrën e zëvendësdrejtorit të drejtorisë së Antiterrorrit, një prej drejtorive më të rëndësishme dhe më të vlerësuarat nga partnerët tanë ndërkombëtare.

Bushati është vlerësuar me tituj e medalje të ndryshme gjatë karrierës së tij në Policinë e Shtetit, por ja vlen të veçojmë vlerësimin që bashkia e Vlorës i bëri në vitin 2008, duke e shpallur kontribuues të vitit dhe medaljen e nderit akorduar në vitin 2016, për shërbime të shquara dhe profesionalizëm të lartë të treguar në ndjekjen, hetimin dhe goditjen e aktiviteteve terroriste.

Bushati është një nga drejtuesit me kualifikimet dhe trajnimet më të larta brenda dhe jashtë vendit.

Kush është Sadri Ramçaj?

Në vitin 2012, Sadri Ramçaj është emëruar Kancelar në Qendrën e Formimit Policor. Sadri Ramçaj ka mbajtur më herët postin e zëvendësdrejtorit për Sigurinë dhe Policimin në Komunitet në Policinë e Dibrës. Ramçaj është akuzuar edhe nga Partia Demokratike se ka qenë pjesë të Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit. Emri i Ramçajt duket se ka dalë nga ditari i Shaqir Vukajt, ish-ministrit të mbrojtjes  në të ashtuquajturën “qeveri e Pajtimit Kombëtar” që kryesohej nga Bashkim Fino, i cili thotë se “Më çuan me një makinë në Ministri të Mbrojtjes. Mbaj mend se me mua erdhi si shoqërues Sadri Ramçaj, oficer i Gardës, që deri atëherë kishte qenë në grupin e shoqërimit të Meksit. E njihja, se e kisha nga zona e ime”.

Kush është Ermal Ajdini?

Ermal Ajdini ka qenë specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve Kundër Jetës dhe Lirisë së Personit në Tiranë para se të emërohej shef Stacioni Policisë Shëngjin në Komisariatin e Policisë Lezhë në Lezhë. Më herët, Ermal Ajdini  ka qenëShef Seksioni për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve, në DVP Durrës, por u emërua Shef Komisariati në Komisariatin e Policisë Durrës.

Kush është Alfred Elezi?

Sipas informacioneve të Alfred Elezi ka qenë më herët shefi i Komisariatit të Mirditës dhe më pas shef Komisariati në Vlorë. Ai ka qenë edhe drejtues në Seksionin Për  Rendin dhe Sigurinë.

Kush është Artur Hebaj?

Artur Hebaj ka mbajtur më herët postin e shefit të komisariatit të Pogradecit. Këtë post, ai e mori pasi u largua nga drejtimi i komisariatit të Krujës. Hebaj  u zëvendësua nga Elton Alushi në Krujë.

Kush është Ardit Çela?

Ardit Çela më parë ka mbajtur detyrën e shefit të seksionit të Hetimit të krimit ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, ndërsa të tjerët janë prurje të reja./GSh

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme