NGRIRJA NË SHESH E KLODIANIT 11 VJEÇ TË TRAFIKUAR NGA GJYSHI

Dy vëllezër të mitur nga Tirana, të trafikuar nga gjyshi, detyrohen të kërkojnë lëmoshë të zbathur dhe të shtirë në shesh. Policia nuk merr masa, ndonëse është e informuar për një gjë të tillë.

Gishtat e këmbëve të njoma thuajse i ka të ngrira, përmbi pllakat e sheshit Zahir Pajaziti. Klodian Kurti, 11 vjeç nga Tirana është detyruar të shtrihet i zbathur në shesh, në temperatura nën 10 gradë. Ai kërkon lëmoshë.

I gjithë trupi i vogël i dridhet, teksa shikon paketën mbi të cilët njerëzit i hedhin para me centë në shenjë mëshire.

E shikojnë me dhembshuri fëmijën fatkeq. Tundin kokën me një përplasje gjuhe me dhëmbët ncncnc për t’u larguar që aty.

Në ora 18 e 20 i telefonoj Policisë. I tregoj për këtë fëmijë. Ia shpjegoj se duhet fëmijë i trafikuar. Ua jap vendin e saktë se ku ndodhet.

“Që po e raportoj rastin”, premton polici kujdestar përtej receptorit.

Klodianit i prishet rehatia nga blici i aparatit. I frikësuar ngre kokën nga toka: “Pse po më fotografon”, pyet ai.

E pyes se pse i ke zbathur këpucët. “Hajde, çohu pimë nga një çaj”, i them unë.

Klodiani ngrihet pa përtesë nga toka. Nisemi drejt vendit ku kishte fshehur këpucët dhe çorapët në një qoshe të Ministrisë së Energjetikës, e njohur si ndërtesa e KEK-ut.

Pasi mbathë këpucët dhe çorapët, Klodiani tregon se në shesh duke lypur, e ka edhe vëllanë 10 vjeç. E kërkojmë së bashku por nuk e gjejmë gjëkundi.

Futemi në kafenenë “Corner” në sheshin “Zahir Pajaziti. Derisa prisnim çajin, Klodiani nuk përton të tregoj se pse ndodhet aty.

“Jam nga Tirana”, thotë ai.

Në Prishtinë tregon se ka ardhur me gjyshin i cili i kishte detyruar dy nipërit e mitur që të kërkonin lëmoshë, zbathur dhe të shtrirë në shesh.

Klodiani, duket se ka kohë që ka ardhur në Prishtinë. E njeh mirë qytetin. Tregon se jeton në një shtëpi në “Lagjen e spitalit”.

Është i përgatitur mirë të thotë se për të lypur nuk e ka detyruar kurrkush, ndërkohë që i rrëshqet fjala dhe konfirmon se gjyshi i ka sjell këtu për të kërkuar lëmoshë.

Ai, është fëmijë i trafikuar.

Nga Dritarja e kafenesë shikoj se mos vije Policia. Nuk duket gjëkundi, ani se vendi ku lypte Klodiani nuk është më larg se 300 metra nga stacioni.

Në ora 18 e 32 minuta telefonoj sërish Policinë. Ia shpjegoj rastin nga fillimi, së bashku me dyshimet se është fëmijë i trafikuar.

“E kemi raportuar rastin”, thotë polici.

Klodiani dëgjon bisedën. Zbehet nga frika.

“I ke telefonuar Policisë”, pyet ai. Përpiqem t’ia përhumb muhabetin duke e mohuar një gjë të tillë. Ai nuk më beson më. Ia fut vrapit dhe zhduket prapa banesave në sheshin Zahir Pajaziti.

Më kot ë kërkoj. Tashmë është zhdukur nga frika se mos e kap Policia.

Por, Klodiani frikësohej pavend, sepse Policia nuk bëhej e gjallë, pavarësisht se kishte informacion se një fëmijë ishte i trafikuar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme