LEXO EDHE:
Gazetare: Evi Shkopi
Për aq kohë sa institucionet do të ngrohen me mazut dhe qytetarët me dru, Shkupi nuk do të mund të marrë frymë lirshëm, shkruan Alsat.
Ndotësit e ajrit në kryeqytet gjatë vitit 2021 janë analizuar në laboratorin e universitetit “Goce Dellçev” në Shtip nga ku ka rezultuar se lista e ndotësve nuk është e vogël, ndërsa në të bëjnë pjesë edhe ndërtimtaria apo zjarret në ambient të hapur.
“Përqendrimi i grimcave PM 2.5 në të dyja lokacionet është e qartë se shkaktohet nga djegia e biomasës gjatë muajve të dimrit. Komunikacioni është ndotësi i dytë më i madh në Novo Lisiçe. Djegia e naftës dhe mazutit është gjithashtu burim i vazhdueshëm i ndotjes, sepse nuk përdoret vetëm për ngrohje por edhe në industri të ndryshme, po burim ndotje janë edhe “flota e vjetër” e veturave me dizel”, tha Dejan Mirakovski- profesor “Goce Dellçev”- Shtip.
Ministri i ekologjisë Naser Nuredini, tha se po analizohet më kujdes cilësia e peletave që shfrytëzohen në vendin tonë, duke ngritur edhe njëherë dyshime rreth cilësisë së tyre.
“Një nga ndotësit më të lartë është përdorimi i biomasës, pra përdorimi i drurit për ngrohje. Do të analizojmë edhe më shumë cilësinë e paletave që përdoren në vendin tonë. Duhet të shohim nëse janë apo jo në nivelin e duhur të cilësisë. Ka vërejtje se ka në qarkullim disa automjete të cilat kanë tym të zi. Ne kemi kërkuar nga qendrat për kontroll Teknik që të zbatojnë ligjin siç duhet, ndërsa ato duhet t’i kontrollojë Ministria e Punëve të Brendshme”, u shpreh Naser Nuredini – Ministër i Mjedisit Jetësor.
Ambasadorja e Suedisë, Kristin Forsgren Bengtson, vendi i së cilës financoi studimin tha se së bashku me UNICEF synojnë të zbatojnë në shkolla edhe një program për edukim më të mirë të fëmijëve për ndryshimet klimatike dhe mjedisin.
“Së bashku me UNICEF-in kemi një program edukativ përmes të të cilit synohet një edukim më i mirë nëpër shkolla sa i përket mjedisit dhe ndryshimeve klimatike”, theksoi Kristin Forsgren Bengtson.
Nga Ministria e Mjedisit Jetësorë thanë se punimet për ndërtimin e rrjetit sekondar të gazifikimit duhet të fillojnë pas gjashtë muajve. Ndërsa katër vjet pas firmosjes së marrëveshjes duhet të jetë ndërtuar deri në 50% e rrjetit në qytete dhe mbi 20% në komunat rurale. Vënia në funksion e këtij rrjeti do të kishte eliminuar ndotjen që shkaktohet nga ngrohja me dru dhe mazut./ Alsat.mk