LDK ngushëllon familjen Haradinaj
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka ngushëlluar në emër të tij dhe gjithë LDK-së, familjen Haradinaj.
“Në emër të LDK-së dhe Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, si dhe në emrin tim, i shpreh ngushëllimet më të thella Kryeministrit Haradinaj dhe gjithë familjes së tij për ndarjen nga jeta të babës, z.Hilmi Haradinaj”, ka shkruar ai.
12:35 – Partia e Drejtësisë ka ngushëlluar familjarët dhe miqtë e familjes Haradinaj me rastin e vdekjes së Hilmi Haradinajt.
“Me dhimbje të madhe morëm lajmin e hidhur se ndërroi jetë njeriu i madhë babai i dëshmorëve të kombit dhe Kryeministrit të vendit baca Hilmi Haradinaj.
Jeta e dinjitetshme e bacës Hilmi shërben si shëmbëlltyrë për çdo qytetarë të vendit tonë dhe burim i pashtershëm i energjisë për ndërtimin e shtetit të drejtë dhe të përparuar. Ai sot fizikisht nuk është në mesin tonë, por kujtimi i tij do të jetë i përjetshëm dhe i pa harruar.
Partia e Drejtësisë shpreh Ngushëllime kryeministrit Haradinaj, familjes, miqve dhe mbarë Kosovës”.
12:34 – Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka ngushëlluar familjen Haradinaj për humbjen e më të dashurit të tyre, Hilmi Haradinajt, babait të kryeministrit.
I nderuari Kryeministër,
E nderuara Familje Haradinaj!
Me dhembje të madhe morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Bacës Hilmi. Baca Hilmi, përherë do të mbetet në mendjet dhe zemrat tona si njeri i urtë e fjalë pak, por atdhetar i madh, që dha shumë për Lirinë e Kosovës.
U prehesh në paqe Baca Hilmi!
I nderuari Kryeministër Haradinaj,
E nderuara Familje Haradinaj!
Ju lutem pranoni ngushëllimet tona të sinqerta!
Në emër të Komunës së Vushtrrisë
Xhafer Tahiri, kryetar
12:28 Kurti: Hilmi Haradinaj ia dha Kosovës katër gjeneralë e dy dëshmorë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se me pikëllim mësuam për ndarjen nga jeta të bacës Hilmi Haradinaj, babait të dëshmorëve të kombit, Luan e Shkëlzen Haradinaj.
“Për breza me radhë, trevat shqiptare kanë formësuar dhe kalitur prindër të urtë e të fortë, të cilët qëllim parësor kishin rritjen dhe brumosjen e fëmijëve të tyre në frymën e lirisë dhe atdhedashurisë. Janë brezat e odave, të fjalës e besës, të parmendës e pushkës, të cilët kishin të rrënjosur thellë dashurinë ndaj tokës e kombit dhe qëndresën në luftën për liri e bashkim. I tillë ishte Hilmi Haradinaj, i cili luftës për çlirimin e Kosovës ia dha katër gjeneralë e dy dëshmorë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se “me rastin e lajmit për vdekjen e bacës Hilmi, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve e të afërmëve, gjithë trevës së Dukagjinit e më gjerë. Qoftë i paharruar kujtimi për Bacën Hilmi!”.
Veteranët e UÇK-së ngushëllojnë familjen Haradinaj
12:00 – Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka shprehur ngushëllimet “më të thella për familjen Haradinaj”, me rastin e ndarjes nga jeta e Hilmi Haradinaj.
Përmes një telegram ngushëllimi, organizatat e veteranëve të UÇK-së kanë vlerësuar kontributin e Hilmi Haradinaj dhe familjes së tij për çështjet kombëtare.
“E nderuara Familje Haradinaj! Mbahuni e qëndroni të fortë në këto momente dhimbjeje që ndjeni për babain e juaj. Ai nuk ishte vetëm i Juaji por edhe i popullit sepse dihen kontributet e mëdha të tij, që dha për çështjen kombëtare. Lavdi jetës dhe veprës së tij”, thuhet në telegram ngushëllimi.
11:47 Bahtiri: Humbje e madhe për tërë popullin e Kosovës
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka ngushëlluar familjen Haradinaj me rastin e ndarjes nga jeta të Hilmi Haradinajt.
Telegrami i ngushëllimit:
E nderuara familje e Hilmi Haradinajt,
I nderuari kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj,
Qytetarët e Mitrovicës dhe unë personalisht, me pikëllim dhe dhembje të thellë morëm lajmin për shkuarjen në amshim të babait tuaj, Bacës Hilmi, i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare.
Përkushtimin e tij për çështjen kombëtare dhe çlirimin e Kosovës, Baca Hilmi e dëshmoi me vepra konkrete, pasi që me tërë familjen bëri sakrifica të mëdha dhe duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën e fundit për çlirimin e Kosovës.
Për Popullin e Kosovës dhe gjithë shqiptarinë familja Haradinaj, është një familje emblematike, kontributi i së cilës do të çmohet për jetë e mot. Është fat i madh për Kosovën dhe popullin shqiptarë që pati një burrë dhe patriot siç ishte Hilmi Haradinaj.
E nderuara familje Hardinaj, i nderuari kryeministër Haradinaj, për humbjen e madhe, jo vetëm për juve, por edhe për popullin e Kosovës, familjes tuaj, të afërmve dhe miqve, në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Mitrovicës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella.
Baca Hilmi u prehtë në paqe.
11:44 Kelmendi: Ngushëllime kryeministrit dhe familjes Haradinaj
Gëzim Kelmendi nga Parti Fjala, ka ngushëlluar gjithë familjen Haradinaj.
Ka thënë se i ndjeri Hilmi Haradinaj, ka dhënë shumë për Kosovën dhe madje ka edukuar gjenerata të tëra.
Ngushëllimi i Kelmendit:
Sot me pikëllim morrëm lajmin për vdekjen e bacit Hilmi, babës së Kryeministrit Ramush Haradinaj.
Baca Hilmi ka dhënë shumë për Kosovën.
Ka rritur dhe edukuar dëshmorët Luanin dhe Shkelzenin.
Baca Hilmi ishte atdhetarë, ashtu edhe i edukoj djemtë e tij Ramushin, Luanin, Shkëzenin, Dautin dhe të tjerët.
Ngushëllime Kryeministrit Ramush Haradinaj, ngushëllime familjes Haradinaj dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.
Veseli: Konaku i bacës Hilmi ishte konak i lirisë së Kosovës
11:21 – Kryeparlamentari Kadri Veseli ka kujtuar Hilmi Haradinajn,i cili vdiq sot.
Veseli e quajti shtëpinë e Hilmi Haradinajt, konak të lirisë së Kosovës.
“Lajmi për vdekjen e bacës Hilmi më pikëlloi shumë. E njoha në ditët e vështira për Kosovën, atëherë kur së bashku me djemtë e tij e qindra të tjerë nga e gjithë Kosova po krijonim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Konaku i bacës Hilmi ishte konak i lirisë së Kosovës. Ngushëllime kryeministrit Haradinaj, familjes, miqve dhe të gjithë atyre që patën rastin ta njohin këtë burrë të nderuar të Dukagjinit dhe mbarë Kosovës”, ka shkruar Veseli.
10:50 – Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka ngushëlluar familjen Haradinaj me rastin e vdekjes së Hilmiut, babait të kryeministrit Haradinaj.
“E nderuar familje Haradinaj,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Hilmi Haradinajt.
Baca Hilmi i dha shumë Kosovës. Kontributi i tij do të mbetet në mendjet tona përherë. Historia do të shkruajë për bacën Hilmi dhe brezat e rinj do të mësojnë për familjen Haradinaj dhe për një burrë të fortë, një babë të dëshmorëve që nuk u dorëzua kurrë.
Ju lutem që në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe në emër timin, t’i pranoni ngushëllimet më të sinqerta”.
10:00 – Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ka thënë se “bacën Hilmi do ta kujtojmë gjithmonë si një burrë të urtë, i cili i dha shumë Kosovës”.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për vdekjen e babait të heronjve të Kosovës, Luan e Shkelzen Haradinajt, bacës Hilmi. Në emër të Nismës Socialdemokrate dhe në emrin tim personal i shpreh ngushëllimet më të sinqerta kryministrit Haradinaj, familjes dhe gjithë miqve të bacës Hilmi! Bacën Hilmi do ta kujtojmë gjithmonë si një burrë të urtë, i cili i dha shumë Kosovës. Lavdi jetës dhe veprës se tij! Pusho i qetë baca Hilmi”, shkroi ai në Facebook.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj, pas vdekjes së Hilmi Haradinajt, ka shkruar se ai do të jetë sinonim i përballimeve dhe qëndresës.
“Baca Mil, sot u ndave nga kjo jetë, për të vazhduar përjetësinë me njerëzit tuaj heronj dhe gjithë heronjtë dhe dëshmorët e kombit …!Do jeni sinonim i përballimeve dhe qëndresës…Lavdi”, ka shkruar ai në Facebook.
Ngushëllime ka shprehur edhe vartësi i Haradinajt në Qeveri, Behgjet Pacolli.
“Baca Hilmi dha gjithçka për Kosovën. Ai sot nuk është në mesin tonë, fizikisht, por kujtimi i tij do të jetë i paharruar. Ngushëllimet e mia më të thella familjes Haradinaj, Gllogjanit dhe tërë Kosovës”, ka shkruar Pacolli.
Edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Hilmi Haradinaj.
“Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të bacës Hilmi. Ishte një burrë i urtë, i matur dhe atdhetar i devotshëm, që Kosovës i dha shumë. Baca Hilmi përballoi shumë sfida në jetë. Ngushëllimet më të sinqerta kryeministrit Haradinaj, familjarëve dhe gjithë miqve të tyre. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, tha ai.