Nikoliçi i ngriu buzëqeshjen Thaçit!

OPINION nga Floim ZEQA

Përafërsisht 9 vite më parë, në Kosovë bëhej garë e fuqishme nga politikanët kosovarë, rreth ditës së shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë. Edhe pse të gjithë e “dinin”, nuk e thonin dot datën, vetëm e vetëm për të mos ua prishur “konspiracionin” ndërkombëtarëve! Si në ditët e sotme, ashtu edhe atëherë, Hashim Thaçi ishte ndër më të zëshmit, duke thënë “unë e di ditën, unë e di ditën,…”, të tjerët ngarendin pas tij, ndërsa i përmbajtur dhe më pragmatik dukej akademik Nexhat Daci, i cili atëbotë thoshte; “Nuk ka rëndësi dita, e rëndësishme është përmbajtja e pavarësisë së shtetit tonë”.

Më në fund erdhi edhe 17 shkurti i 2008, që na solli pavarësinë e modelit “Sui generis” në një “pako” të mbyllur, me simbole antikombëtare dhe më kualitetin më të dobët të një shteti sovran. Politikanët kosovarë e pranuan “Pakon e Ahtisarit” si kompromis të dhimbshëm për pavarësimin e vendit, duke u zotuar gjithnjë për mosbërjen e kompromiseve të tjera të dëmshme për shtetin e Kosovës.

Mbase “rezistenca” ndaj kompromiseve të reja zgjati deri me fillimin e bisedimeve të pabarabarta dhe pa kushte me Serbinë në Bruksel në vitin 2011, nga të cilat që në start të atyre bisedimeve Kosova e pranoi kompromisin e parë të dhimbshëm, Fusnotën*, në vend të Republikës! Në fillim, negociatorët kosovarë, për fusnotën thonin se është një “flluskë sapuni”, e cila më pas filloi të ngurtësohej me barrikada të llojeve e modeleve të ndryshme mbi urën e lumit Ibër, së fundmi u ngri në beton dhe hekur, duke u bërë murë ndarës mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Flluska të sapunit” mbetën fjalët e negociatorëve kosovarë, që në vend të forcimit të shtetësisë, e dëmtuan atë me ndarjen e sovranitetit të shtetit dhe tkurrjen territoriale të vendit përmes dy marrëveshjeve fatkeqe në Bruksel (me 19 prill 2013 dhe 25 gusht 2015). Pas çdo kompromisi të dhimbshëm në bisedimet e Brukselit, ish kryeministri Thaçi, tani president aktual i vendit kthehej në Kosovë i buzëqeshur sikur të ishte fitimtar absolut i bisedimeve. Mirëpo ashtu nuk i doli edhe në takimin e fundit në përballje me presidentin serb Nikoliç. Kësaj radhe, kthimi i Thaçit nga Brukseli nuk ishte impresionues, ishte trishtues, në një gjendje të rënduar psikike, i traumatizuar dhe i frikësuar si asnjëherë më parë apo thënë ndryshe, Nikoliçi i ngriu buzëqeshjen Thaçit në përballjen e parë!

Kështu Hashim Thaçi, për herë të parë nga fillimi i bisedimeve, detyrohet të kërkojë ndihmën e spektrit politik shqiptar, me të cilët asnjëherë nuk i ra ndërmend të konsultohej para shkuarjes në Bruksel. Nga takimi me Nikoliçin, siç duket Thaçi e ka kuptuar përfundimisht dështimin e tij në bisedimet e Brukselit. Pa dashur të paragjykoj apo spekuloj, me 24 janar në Bruksel ka ndodhur diçka tepër e rëndë për shtetin e Kosovës. Me siguri, Thaçi e Mustafa e kanë kuptuar mirë “gjuhën” e Nikoliçit, andaj edhe nëse nuk e dinë kësaj radhe ditën, i dinë mirë pasojat e veprimeve të radhës së Serbisë.

Për dështimin skandaloz të Kosovës në bisedimet e Brukselit, fajtori dihet, por mbetet tepër e dhimbshme, se si para këtij dështimi Hashim Thaçi e pranoi turpërimin dhe nënçmimin që i bëri Serbia dhe Brukseli, duke e detyruar të përulet para varrezave dhe pllakatave serbe (Grackë të Lipjanit, Gorozhdec të Pejës dhe Hoqë të madhe) në të cilat shkruhet në gjuhën serbe; “Zhertve shiptarskog terrora” (viktima të terrorit shqiptar).

Nëse i ka mbetur pak ndërgjegje kombëtare në trupin e tij, atëherë presidenti Thaçi bën mirë që t’u rrëfehet qytetarëve të vendit se me çfarë e joshën serbët dhe ndërkombëtarët që të shkelë aq lehtësisht mbi gjakun e dëshmorëve, apo ka gjëra të tjera akoma më të dhimbshme që rëndojnë mbi ndërgjegjen e tij!?

Me këto veprime, Hashim Thaçi e barazoi luftën çlirimtare me gjenocidin serb, e barazoi kriminelin me viktimën, e mbi të gjitha i amnistoi të gjitha krimet serbe në Kosovë dhe hapi rrugën e ndëshkimit të çlirimtarëve nga gjykatat ndërkombëtare. Deri në këtë pikë e sollën ish udhëheqësin politik të luftës, njeriun që në hierarkinë politike u ngrit duke u thirrur në familjen simbol të sakrificës njerëzore, familjes Jashari dhe qindra e mijëra dëshmorëve të lirisë në njërën anë, ndërsa në tjetrën nën urdhërin e “mentorëve” të tij, duke shpifur e propaganduar kundër presidentit historik Ibrahim Rugova.

Mbahu i fortë president e mos u ligështo. Vlerësimeve të Adem Demaçit se jeni politikani më i mirë prej të këqinjve, do i shtoja edhe konstatimin tim; jeni më i guximshmi dhe më i shkathëti në mesin e injorantëve politikë.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme