Nikoliq kërcënoi me luftë, ja si i përgjigjet kryeministri kosovar, Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shkruar në profilin e tij në facebook se provokimet të cilat kohëve të fundit në mënyrë sistematike po i bën shteti serb në Kosovë, duke kërkuar që deputetët dhe ministrat serbë në Kuvend përkatësisht në Qeverinë e Kosovës duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë qëndrimet e Qeverisë së Serbisë, fletarrestet e lëshuara ndaj luftëtarëve të UÇK-së dhe arrestimi i z. Haradinaj në Francë mbi këtë bazë, ndërtimi i murit në pjesën veriore të Mitrovicës nga Beogradi në bashkëpunim me strukturat e tyre paralele në Kosovë dhe së fundi tentimi që të futet një tren në vendin tonë pa leje të institucioneve të Kosovës, i veshur me parulla që provokojnë qytetarët, ligjin dhe rendin kushtetues, janë veprime të papranueshme, të panevojshme dhe nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona.

Ja postimi i tij i plotë:

“Kosova është e orientuar fuqishëm për paqe dhe siguri në rajon, për të qenë pjesë e familjes së vendeve të Bashkimit Evropian dhe për miqësi të përhershme dhe strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të gjitha çështjet me fqinjët jemi të interesuar t’i zgjidhim përmes dialogut. Konsideroj se koha e provokimeve, konflikteve dhe luftërave duhet të ketë shkuar.

Provokimet të cilat kohëve të fundit në mënyrë sistematike po i bën shteti serb në Kosovë, duke kërkuar që deputetët dhe ministrat serbë në Kuvend përkatësisht në Qeverinë e Kosovës duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë qëndrimet e Qeverisë së Serbisë, fletarrestet e lëshuara ndaj luftëtarëve të UÇK-së dhe arrestimi i z. Haradinaj në Francë mbi këtë bazë, ndërtimi i murit në pjesën veriore të Mitrovicës nga Beogradi në bashkëpunim me strukturat e tyre paralele në Kosovë dhe së fundi tentimi që të futet një tren në vendin tonë pa leje të institucioneve të Kosovës, i veshur me parulla që provokojnë qytetarët, ligjin dhe rendin kushtetues, janë veprime të papranueshme, të panevojshme dhe nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona.

Kosova është e interesuar të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, t’i integrojë qytetarët serbë në institucionet dhe në jetën demokratike të vendit, sikurse edhe të gjithë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë. Por, kjo gatishmëri duhet të përcillet me qëndrime konstruktive të Serbisë ndaj këtij procesi, si dy vende që aspirojmë të bëhemi pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.

Institucionet e Republikës së Kosovës kanë punë shumë më të rëndësishme se sa të merren me një tren, të mbushur me ikonografi dhe të veshur me parulla provokuese me pretendime okupatore, që nuk i shërbejnë, jo qëllimit por as idesë për fqinjësi të mirë. Institucionet e Kosovës kanë për detyrë të ofrojnë siguri për të gjitha mjetet e transportit që qarkullojnë në Kosovë; ato e kishin bërë të qartë se një tren i tillë nuk ka siguri të hyjë në Kosovë dhe se duhet të parandalohet hyrja e tij. Këtë ua kemi bërë të ditur të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë me kohë.

Serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë të Republikës sonë. Ata nuk ka nevojë që t’i mbrojë Beogradi dhe t’i ndajë me mure nga qytetarët e tjerë, sepse në asnjë formë nuk janë të rrezikuar dhe nuk do të jenë të rrezikuar. Kemi nevojë të komunikojmë dhe të punojmë të gjithë për të ndërtuar një perspektivë të përbashkët evropiane.

Muret ndarëse duhet të hiqen. Muri i ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës, jo vetëm pa leje por edhe në kundërshtim me rregullat urbane dhe ligjore, do të rrënohet. Është në kompetencë fillestare të pushtetit lokal rrënimi i objekteve të kategorisë së dytë, por është edhe në përgjegjësi të pushtetit qendror të ndërmerr masa ligjore.

Institucionet e Kosovës e kanë bërë të qartë se nuk do të dialogojnë për këtë mur në Bruksel, pasi ai as që ka qenë kurrë pjesë e marrëveshjeve apo dialogut. Por, po ashtu, vlerësoj se institucionet e BE-së duhet të ushtrojnë ndikim që këtë mur ta heqin ata që e ndërtuan. Sepse ata që ndërtojnë mure në Ballkan nuk mund të jenë të dinjitetshëm për t’u bërë pjesë e Evropës pa mure (pa kufij).

Qeveria është e ndërgjegjshme për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe detyrimeve që dalin nga këto marrëveshje. Do të fillojmë me implementimin edhe të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Asociacioni do të themelohet nga institucionet e Republikës së Kosovës me procedura të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese dhe me involvim të plotë të përfaqësuesve serbë në institucionet e Republikës së Kosovës. Asociacioni do të ketë përmbajtje që i kanë edhe asociacionet tjera të ngjashme, pa përgjegjësi ekzekutive, por me mundësi që të ndihmojë dhe të përkrahë pushtetin lokal dhe bashkëpunimin për të përmirësuar dhe avancuar jetën e qytetarëve.

Qeveria do të kryej përgjegjësitë e saj duke respektuar procedurat ligjore dhe Kushtetutën. Ajo është e vetëdijshme edhe për presionin e brendshëm i cili shpesh kalon kufijtë racional dhe merr karakter emocional, por, unë si Kryeministër, sikurse edhe kabineti qeveritar dhe institucionet e tjera duhet të sillemi dhe të veprojmë me logjikën e shtetit, t’i matim veprimet, t’i bashkërendisim me institucionet relevante të vendit dhe me partnerët tanë dhe të sigurojmë ushtrimin e sovranitetit.”, ka shkruar Mustafa.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme