Gazetar: Adrian Kerimi
Nga 26 vjet burg sa është shqiptuar kundër ish kryeministrit Nikolla Gruevski, ai për momentin duhet të vuaj vetëm 3 vjet e gjysmë për shkak të dy akuzave të plot fuqishme. Tetë akuza të cilat rëndonin kundër ish kryeministrit, pavarësisht vjetërsimit ose pushimit të disa prej tyre, nuk do ta shpëtojnë atë plotësisht nga burgu. Kjo për shkak se akuza për rastin “Titanik” dhe “Organizatorët e 27 prillit”, nuk do të vjetërsohen, ndërsa Gruevski shpëtimin e njërës prej tyre e kërkon përmes abolimit. Gruevski në cilësinë e kryeministrit në rastin “Titanik” akuzohet për krijimin e grupit të organizuar kriminal që ka bërë keqpërdorime dhe parregullsi zgjedhore. Kjo akuzë ndonëse nuk ka vendim për Gruevskit, të akuzuarit e tjerë kanë pranuar fajin dhe u janë shqiptuar masa më të ulët. Për t’i shpëtuar burgut nga kjo lëndë, Gruevski përmes një avokati kërkoi rikthimin në fuqi të abolimit, por Gjykata Supreme nuk e pranoi një vendim të tillë.
Në rastin “Talir 2” ku Gruevski akuzohet për financimin e partisë politike nga burime të dyshimta financiare, gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me 6 vite burg, por lënda ndodhet në procedurë ankese dhe mund të plotëson kushtin e vjetërsimit absolut falë ndryshimeve të fundit në Kodin Penal. Fatin e njëjtë pritet ta ketë edhe lënda “Parcelat në Vodno” ku Gruevski është i dënuar me 7 vite burg.
Së fundit ai pa një therë në këmbë i shpëtoi dy akuzave prej të cilave rrezikonte vitet më të larta me burg. Gjegjësisht nga rasti “TNT” për të cilin u dënua me 9 vite burg shpëtoi falë vjetërsimit absolut të veprës, ndërsa për rastin “Trajektorja” shpëtoi falë mos sjelljes së vendimit dhe ndryshimeve në Kodin Penal pavarësisht se dëmi në buxhetin e shtetit për këtë vepër kriminale rezulton 155 milion euro.
I dënuar në mungesë, për rastin “Tanku”, Mercedesin luksoz dhe akuzën për dhunën në Komunën Qendër me 3 vite e gjysmë burg, Gruevski pas një viti do të lirohet plotësisht edhe nga këto akuza. Aktualisht dënimet ndaj tij të cilat rëndojnë dhe që për bazë kanë edhe flet arrestet ndërkombëtarë janë ato për Mercedesin luksoz dhe dhunën në Komunën Qendër, por që pas vjetërsimit dhe në rast se Gruevski siguron garanci juridike për abolimin dhe rastin “Titanik” i hapet rruga për t’u kthyer në Shkup si hero.
Pushteti që kishte garantuar përgjegjësinë e tij dhe kthimin e pasurisë, vetëm pas 7 viteve ka arritur t’i konfiskon dy apartamente dhe një pronë të cilën Qeveria do ta nxjerr në shitje, ndonëse besohet se pasuria e tij mund të jetë për qindra herë me lartë. Për arratisjen e tij nga vendi, sot e kësaj dite nuk ka përgjegjësi, ndërsa nga komunikimet e tij nga Budapest Gruevski disa herë ka bërë të ditur se nuk planifikon të kthehet në Maqedoni derisa ndaj tij vazhdon përndjekja politike. /Alsat.mk