Deputeti i LSDM-së Lupço Nikollovski tha se partia e tij nuk ka në plan të negociojë me kriminelë, me çka i dha përgjigje negative idesë për takim liderësh, transmeton Gazeta Lajm.
Ideja për një takim liderësh ka dalë nga BDI, mirëpo pas kësaj përgjigje të ashpër të socialdemokratëve, vështirë se do të realizohet.
Nikollovski deklaroi se kanë plan për debllokim të Kuvendit, por nuk e shpalosi planin konkret.
“LSDM ka strategji dhe plan se si të debllokohet Kuvendi, së bashku me 67 deputetët që dhanë nënshkrimet për formimin e qeverisë reformatore. Kemi të drejtë dhe obligim, në pajtim me Kushtetutën, Ligjin dhe Rregulloren të zgjedhim spikerin e Parlamentit. Deri sot lejuam qytetarët të shohin se çfarë deputetë rrinë ulur në Parlament dhe çka mbrojnë ata. Aminstim për kriminelë nuk do të ketë dhe nuk do të pranojmë”, tha Nikollovski, duke u përgjigjur në pyetjen nëse LSDM do të pranojë takim liderësh.