Fenomeni i kacafytjeve brenda partiake gjithnjë e më shumë është evident para zgjedhjeve lokale, tek partitë shqiptare. Fraksionet brenda partive kanë ngre zërin për kandidatët potencial për komuna të ndryshme. Mediat shfrytëzohen për t’a matë opinionin, me emra potencial- si kandidatë të mundshëm, por edhe për ta testuar reagimin e strukturave për emrat që përfolen.
Njohësi i rrethanave politike, Naser Pajaziti thotë se loja e bërrylave dhe muskujve është praktikë e moçme, sepse ne shohim se këta individë imponohen në parti, media dhe çdokund, duke ngulfatur vlerat dhe njerëzit që kanë autoritet e bagazh reprezentimi.
“Kacafytjet e fundit janë realitet dhe se partitë që kanë probleme të tilla mos të mundohen të mashtrojnë apo manipulojnë mediat. Sidomos ne, e dimë se me çfarë mentaliteti politik kemi të bëjmë”, deklaroi Pajaziti për Lajm.
Ai shton se kjo praktikë do jetë evidente edhe gjatë periudhës në vijim, ku do jemi dëshmitarë të skenave të tilla. Sipas tij, për eliminimin e kësaj dukurie shkon kohë.
Gazetari, Benjamin Arifi deklaron se fatkeqësisht një pjesë e partive politike shqiptare ende funksionojnë në stilin e monarkive të shumë shekujve më parë. Anashkalohen të gjitha organet partiake dhe për gjithçka vendos vetëm lideri.
“Ky monopol i vendimmarrjes shpesh ka përfunduar keq për vetë partitë, duke prodhuar dhunë (rasti i Komandant Shqiponjës në BDI Kumanovë) ose edhe përçarje, fraksione dhe braktisje të partisë (formimi i LR PDSH-së nga PDSH-ja). Përkundër efektit negativ, liderët e këtyre partive nuk heqin dorë nga pushteti absolut brenda partisë dhe vazhdojnë të degradojnë e shpërfillin organet partiake”, tha Arifi.
Zgjedhjet lokale në Maqedoni do të mbahen më 15 tetor. Deri më tash asnjë emër nuk është zyrtar si kandidatë i mundshëm. Përfolen shumë emra. Një është e sigurt, beteja brenda partive ka nisur. Kjo betejë njëherit është edhe test për demokracitë e brendshme partiake.