Policia ka zbarkuar këtë mëngjes në zonën e Shkozës, aty ku gati një javë më parë u përplas me banorët që kundërshtonin prishjen e banesave të tyre për të lejuar zbatimin e projektit të zgjerimit të rrugës, një projekt i ARRSH-së dhe Ministrisë së Transporteve.
Policia ndodhet në vendngjarje për të shmangur ndonjë revoltë të banorëve. Këta të fundit protestuan edhe para Ambasadës Amerikane, si dhe i dërguan letra selive kryesore diplomatike në vend.
Ndërsa pak ditë më parë ata u ulën këmbëkryq në rrugën tek ‘Ura e Shkozës’ në Shqipëri dhe nuk lejuan qarkullimin e automjeteve për disa orë. Banorët shprehen se presin përgjigje nga shteti për dëmshpërblim, para se t’ju shemben shtëpitë e ndërtuara me mund e sakrificë.