Nishani tregon si e mposhti sëmundjen, pse fëmijët nuk i do në politikë dhe ku do e kalojë Vitin e Ri

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka ardhur me një rrëfim ndryshe, mbrëmjen e së enjtes, në emisionin “Opinion”.

Një intervistë pa nota të forta politike, por mbi atë se çfarë u realizua dhe çfarë mund të bëhej ndryshe. Duke mbajtur hapin nga kujtimet festive përgjatë viteve, e deri tek, dëshirat, familja dhe projektet.

Z. President mirëmbrëma dhe faleminderit që pranuat ftesën për të folur në këtë prag festash.

Mirëmbrëma, kënaqësia për mua.

Do të jetë një intervistë krejt ndryshe në fakt, nuk do lidhet shumë me zhvillimet politike, nuk do lidhet shumë me tensionet dhe situatat në vend, por do lidhet me një lloj profili të raportit tuaj me festat dhe natyrisht me vitin që shkoi.

Është zgjedhje shumë e mirë.

Nuk e di, sa personazh festiv jeni, pra sa e ndjeni atmosferën e festave. Jo tani vetëm si president, por në përgjithësi flas.

Unë besoj se të gjithë i ndjejnë festat dhe kanë dëshirë ta kenë afër festën dhe ta kenë vetën e tyre gjithmonë pjesë e një ambienti festiv. Kështu edhe unë personalisht e kam jetuar ambientin festiv e kam dashur dhe jam munduar që t’ia ofroj vetës, familjes dhe miqve.

Ka qenë atmosfera e festave në familjen tuaj edhe më parë gjithmonë e pranishme?

Gjithmonë ka qenë e pranishme. Kuptohet në vitet e largëta me aq sa ç’ka qenë e mundur me kushtet e Shqipërisë që i njohim të gjithë, por gjithmonë me kalimin e kohës kanë qenë edhe më të theksuara.

Gjithsesi edhe në atë Shqipëri të varfër në vitet e komunizmit fundviti ishte festa më simbolike e shqiptarëve?

Pema e Krishtlindjeve apo siç e quanim ne në atë kohë pema e Vitit të Ri, nuk mungonte kurrë, zbukurimet nuk mungonin kurrë, gatimet tradicionale që fillonin disa ditë përpara ardhjes së natës së fundit të vitit, bakllavaja simbolike që gatuhej në familje nga nëna me të afërmet, pra; ishte një ambient i cili gjithmonë e krijonte atë sensin e festës.

Sa ndryshon festa e një presidenti me atë të një qytetari të zakonshëm. Ajo që quhet atmosfera festive?

Varet se si e vendos veten në raport me festën apo atë që ne e quajmë me ambientin njerëzor. Për mua nuk ka bërë ndonjë ndryshim. Ndoshta jam munduar që të përfshij më shumë njerëz, më shumë të afërm gjatë kohës që kam qenë në këtë detyrë në mbrëmjen e Vitit të Ri, për shkak, edhe të mungesës së hapësirave dhe kontakteve gjatë gjithë vitit. Jam munduar të shpërndahen dhe të japin edhe ca meshave në dimensione njerëzore, p.sh, në dy festat e fundvitit kam pasur të ftuar fëmijët e shtëpisë së jetimëve, që kanë festuar bashkë me familjen tonë dhe kanë ndenjur dy-tre ditët e para në familje.

Kanë ndenjur në rezidencën tuaj?

Po kanë ndenjur në rezidencën tonë.

Si janë ndjerë?

Me dëshirën që të vinin përsëri vitin e ardhshëm.

Këtë nuk e dija si lajm publik.

Kanë qenë disa vëllezër dhe motra nga Librazhdi të strehuar në shtëpinë e fëmijës në “Fshatin SOS”, pastaj më pas, po disa fëmijë të tjerë. Ka qenë një dëshirë e familjes për t’i përfshirë ata në rezidencën po themi të presidentit, për ta parë dhe përjetuar më ndryshe, sepse duhet të kemi parasysh se ndjenja dhe perceptimi i fëmijës për festën është shumë më i fortë dhe aq më tepër kur festa është në pjesën e institucioneve të larta të vendit, merr një dimension të botës së tyre të brendshme më të veçantë.

Padyshim, fëmijët janë ata që entuziasmohen më shumë nga atmosfera festive. Do rikthehem sërish në faktin se si do ta festoni Vitin e Ri dhe ku do ta festoni. Dua t’iu pyes si ka qenë viti 2016 për ju, jemi pothuajse në mbylljen e tij, për dy ditë, viti mbyllet dhe çdokush mund të bëjë një lloj bilanci?

Në fakt, viti që sapo lëmë pas, ka qenë një vit i veçantë për mua. Në aspektin njerëzor, ishte viti i 50-vjetorit të lindjes time dhe jo në sensin e kohës, të mbërritjes së 50-viteve të jetës apo në aspektin e të cilës ne shohim formalisht një moment ditëlindje feste, por në aspektin se si reflekton gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Pra, është një rrugëtim pesëdhjetëvjeçar ku njeriut i jep mundësinë që të fillojë të reflektojë, që do të thotë, sa i arrirë je në rrugëtimin tënd njerëzor, në aspiratat që ke pasur ne momentet kulmore të jetës tënde personale dhe familjare. Dhe, do apo s’do, vijmë në një moment sentimental që hyjmë brenda kësaj analize dhe e shikon se cili është rrugëtimi yt, parë në këtë sens, unë them se ka qenë një vit i veçantë.

Nëse unë i rikthehem reflektimit tuaj dhe ju pyes: si ju ka gjetur pesëdhjetëvjetori në raport me pritshmëritë që ju keni pasur. Çdo njeri ka disa piketa që orientohet në jetën e tij, në moshën: 20, 22-23-vjeçare kur del nga shkolla, natyrisht këto piketa janë shumë të largëta, shpeshherë shumë të afërta, dikush i tejkalon, dikush tjetër nuk arrin dot deri atje. Si kanë qenë pritshmëritë tuaja në raport me situatën ku ndodheni?

Çdo njeri në këtë jetë ka rrugëtimin e tij me ulje-ngritjet, me sfidat dhe me problematikat. Unë në tërësinë e një bilanci pesëdhjetëvjeçar mund të them se jam shumë i kënaqur me rrugëtimin tim të deritanishëm, besoj që e konsideroj veten njeri edhe me fat, njeri edhe me shanse, njeri i cili ka pasur edhe sfida të shumta, ka pasur ulje-ngritje, në aspektin njerëzor, në aspektin familjar dhe atë institucional. Nuk e kisha menduar kurrë se do të isha President i Republikës dhe ja një ditë u bëra President i Republikës.

Këto janë momente që nuk mund t’i parashikosh asnjëherë.

Po, ashtu si nuk parashikon momente të tjera në sfida të tjera që ndesh njeriu në jetën e përditshme apo në jetën e tij. Por lumturia më e madhe dhe vlerësimi që kam ndjerë kësaj jete dhe mundësisë që m’u dha është padyshim familja. Familja që kam arritur të krijoj e cila ka qenë inspirimi, ka qenë mbështetja, ka qenë pse jo edhe ajo që e ka shtyrë njeriun për të kaluar momente vërtet të vështira në jetë.

Z. Nishani, Zhaklin Kenedy thoshte: Nuk ke bërë asgjë në jetë nëse nuk ke rritur fëmijë të mirë. Në njëfarë mënyre, thoshte dhe karriera dhe suksesi nëse t’i nuk ke arritur një familje të mirë, quhet një lloj dështimi. Sa i kënaqur jeni ju me familjen tuaj?

Jam maksimalisht i kënaqur, nuk kemi pasur kurrë shqetësime, nuk kemi pasur kurrë probleme prej tyre dhe akoma më tej kanë qenë njerëz deri tani të suksesshëm, të mbështetur plotësisht në pasionet e tyre, në angazhimet e tyre dhe në punët e shkollës.

Çfarë pasionesh kanë zgjedhur?

Djali tashmë ka hyrë në një rrugë shumë të konsoliduar është student i vitit të tretë në Universitetin e Mjekësisë në Vjenë dhe ishte një zgjedhje e tij, ishte një zgjedhje që i kërkoi një angazhim shumë të fortë dhe të mundimshëm, e shoh edhe këto ditë që është pranë familjes me pushime e konsumon kohën më shumë duke studiuar sesa duke dalë në bare dhe kafeve të Tiranës.

Ju vetë çfarë do t’i kishit sugjeruar?

E kisha vështirë.

Nuk kishit ndonjë pretendim tjetër?

E kisha të vështirë, ai kishte pasion të madh politikën në të shkuarën, ai ndiqte shumë afër jo vetëm aktivitetin tim, por edhe zhvillimet politike në Shqipëri, madje, edhe zhvillime politike përtej Shqipërisë në një dimension europian dhe botëror. Ishte njeri i cili kishte mjaft komunikim me zhvillimet politike në vend por edhe përtej vendit. Por gjithsesi unë mendova se ishte një pasion brenda vetes së tij, brenda qenies së tij dhe do t’i duhej të përgatitej për jetën me një profesion serioz, një profesion i cili të jepte forcën që ndaj jetës dhe vështirësive të jetës të fitonte dhe të ishte i parrahur, sa më shumë i parrahur dhe profesioni që ka zgjedhur të jep një dimension të tillë.

Nuk është se mjekët nuk kanë pasur sukses në politikën shqiptare?

Padyshim që kanë pasur sukses, por rrethanat e politikës shqiptare ndryshojnë shumë shpejt dhe jemi dëshmitar të ndryshimit të kaq të shpejtë të rrethanave dhe madje jo vetëm ndryshime, por edhe ndryshime radikale. Kështu që unë jam shumë i kënaqur që ka zgjedhur një profesion. Një profesion që ta lejojë atë të ndjehet i pavarur në raport me jetën. Po ashtu edhe vajza është studente në një kolegj në Vjenë edhe ajo ishte një zgjedhje e saj. Ajo ka një pasion të veçantë pjesën e komunikimit psikologjik sidomos me fëmijët është e angazhuar edhe atje, aktive shumë në fushata vullnetare në komunikimin me fëmijët të cilët kanë nevojë shumë të komunikojnë, le të themi, t’i bëjnë një trajtim psikologjik të tyre.

Si ka vepruar te fëmijët, se ju u bëtë president në kohën e adoleshencës së tyre? Si ka ndikuar babai të qenurit President i Republikës?

Ka qenë e çuditshme Blendi në fakt dhe nuk di edhe sot ta shpjegoj se cila ka qenë arsyeja, ndoshta ne nuk e kemi ushqyer por edhe rrethanat e tjera kanë qenë të tilla që ata nuk e kanë përjetuar asnjëherë se ata kanë qenë fëmijët e një familje të lidhur kaq shumë me politikën, por edhe me nivele të larta të pushtetit. Unë prej shumë vitesh kam qenë ministër dhe pastaj president dhe ata asnjëherë nuk e kanë përceptuar ditën e tyre, jetën e tyre, aktivitetin e tyre apo relacionet e tyre në shoqëri me miqtë apo edhe me ambientin përreth tyre në kontekstin e fëmijëve të një familje që ka interesa me pushtetin apo interesa me administrimin e pushtetit.

Në fakt, një nga pyetjet kryesore që dua t’iu bëja është se cili ka qenë momenti më i vështirë i vitit që shkoi? Ndoshta momenti më i bukur ka qenë festimi i 50-vjetorit në raport me bilancin që i bën gjithë jetës. Ka pasur momente të vështira? Qoftë edhe politike.

Momente të vështira padyshim që njeriu ka, nuk mund të them që kam pasur një moment të vështirësie të caktuar që mund të them se ka pasur një kërcitje të fortë. Por kam përjetuar me shumë shqetësim, me një lloj dhimbje, momentet që shikoja kur kishte largime masive nga Shqipëria. Ka qenë një moment veçanërisht nga zonat e veriut të Shqipërisë, por jo vetëm edhe nga pjesa urbane e Shqipërisë dhe kam marrë disa udhëtime nga Shishtaveci në Kukës, Tepelenë, Përmet në mjaft zona të cilat ishin më të prekura nga emigrimi.

Janë realisht kaq të shkretuara?

Për fatin e keq, po. Sidomos pjesa rurale ndjehet tërësisht e braktisur dhe mua më vjen keq se bëjnë një dallim midis një momenti që rrethanat ishin shumë shpresëdhënëse, ndoshta ka qenë mesi apo fillimi i vitit 2008 kur unë pashë për shkak edhe të pozicionit që kisha në atë kohë si ministër i Brendshëm që një numër i madh emigrantësh shqiptar që kishin jetuar në Itali dhe Greqi filluan të rikthhen në Shqipëri, por jo si njerëz që kishin humbur punën dhe besimin në vendet ku ata jetonin, por njerëz me një lloj shprese për të ndërtuar një jetë të re dhe vinin si investitor. Patjetër jo si investitor të mëdhenj, madje vinin shumë prej tyre si bashkëpunëtor me investitor grek apo italianë. Ata fokusoheshin kryesisht në fushën e shërbimeve. Që do të thotë ishte një prespektivë e mirë për biznesin e mesëm le të themi. Në lidhje me shtresën e mesme të Shqipërisë. Vitet 2014 apo 2015, por edhe fillimet e këtij viti ishin shumë shqetësuese, të braktisjes së zonave dhe rikthimin përsëri në atë konceptin e shtytjes për të ikur.

Keni frikë z. President se përtej asaj atmosferës së festave pasi të kalojnë, momentet që do vinë do jenë më të vështira për Shqipërinë?

Unë shpresoj që gjërat të vinë duke u përmirësuar, sepse, në fund të fundit, është në mundësinë e njerëzve që jetojnë në Shqipëri, në mundësinë e njerëzve që e bëjnë organizimin politik, social të vendit. Përplasjet politike duket se janë ashpërsuar. Unë do t’u uroja që të kishte një reflektim më të gjërë, më të thellë në kontekstin e të parit gjërave në një perspektivë afatmesme dhe jo të parit gjërat se ç’ndodh nesër apo pasnesër në raportin e interesave individ dhe realitet shoqëror.

Meqenëse unë u premtova se nuk do u bëja pyetje politike, por nuk mund të rri pa ju pyetur. A keni luajtur ju personalisht, në gjykimin tuaj, rolin e të qenurit simbol të bashkimit kombëtar dhe mbi palët?

Duhet të keni parasysh që vërtetë Kushtetuta e ka paraparë Presidentin si simbolin e unitetit dhe zyrën e Presidentit të Republikës si një institucion i cili në momentet e krizave të forta të bashkojë palët. Për fatin e mirë ne nuk kemi pasur ndonjë përplasje dramatike, e cila, të kishte nevojën që institucioni i Presidentit të Republikës të ndërhynte për të zbutur problematikën që mund të sjellë një përplasje e tillë dramatike. Fakti kryesisht që palët për çështje madhore siç ka qenë kryesisht ajo e integrimit europian, janë fokusuar dhe kanë qenë të angazhuar dhe ka qenë një mekanizëm që ka zbutur shumë, mendoj unë, ecjen e keqkuptimeve apo të përplasjeve të forta midis palëve dhe duhet të jemi realist. Kështu që, Presidenti i Republikës në Shqipëri, mund t’i duhet situatës njëherë, dy herë por mund të mos i duhet asnjëherë në kontekstin se si ai do të përcjellë apo do të bëjë zgjidhjen e momenteve krociale, të forta, në Shqipëri. Jam treguar i gatshëm, kam qenë i gatshëm, padyshim në aspektin formal kam ofruar gjithmonë pjesën e imazhit të institucionit që ofron dhe e ka këtë hapësirë në dispozicion të palëve politike. Unë mendoj se është pozitive kur nuk është e nevojshme shfaqja apo ndërhyrja e presidentit. Sepse duhej të kishim kriza të forta nëse do ishte e nevojshme ndërhyrja e Presidentit të Republikës. Por në aspektin e adresimeve dhe vokacionit në raport me opinionin publik, pavarësisht se është fokusuar dhe gjithmonë fokusi i vokacionit vihet tek problematikat dhe tek ato që e shqetësojnë opinionin publik dhe jo tek lavdet dhe tek elozhet, por ky vokacion ka qenë pa kolorite agresive ka qenë një vokacion i cili ka adresuar gjithmonë në sensin e një klime pozitive që duhet të reflektojmë.

Z.President ju keni zhvilluar disa vizita zyrtare dhe njëkohësisht keni pritur krerë shtetesh në Tiranë. Cilat kanë qenë vizitat që kanë lënë impresionet më të mira tek ju?

Ky vit ka qenë shumë i ngjeshur në aspektin e kontakteve ndërkombëtare. Vetëm në takime dhe insiativa të shumta rajonale, të cilat kanë qenë vërtetë të rëndësishme dhe të dobishme për çështjen e sigurisë kryesisht, por edhe të bashkëpunimit rajonal kanë sjellë një frymë mirëkuptimi përmes këtyre kontakteve. Mund të them dhe dua t’u garantoj juve personalisht por edhe të gjithë opinionin përmes jush që kam ditur t’a prezantoj dhe ta përcjell imazhin, opinionin dhe angazhimin e Shqipërisë në mënyrën më dinjitoze jo vetëm në aspektin rajonal, por krysisht në aspektin rajonal, atje ku Shqipëria ka një peshë dhe shikohet dhe moniterohet se çfarë prish dhe çfarë aktiviteti bën, kuptohet brenda një dimensioni që mund të ketë Presidenti i Republikës. Por ka qenë edhe në disa dimensione të tjera e shpërndarë. Ka qenë një vizitë e shkëlqyer në Kroaci ku aleanca midis Shqipërisë dhe Kroacisë në nivelin rajonal mbetet një aleancë prioritare, fondamentale dhe shumë e rëndësishme për dy vende por edhe në tërësi për rajonin. Më pas në aspektin e bashkëpunimit me vendet e Bashkimit Europian ka qenë një vizitë shumë mbresëlënëse në Romë, vizita zyrtare në Itali i ftuar nga presidenti Mattarela ku u rikonfirmua një miqësi tradicionale e madhe midis Shqipërisë dhe Italisë. Ka qenë një vizitë e jashtëzakonshme, për mua, në sensin jo vetëm të mikpritjes por edhe të çështjeve të interesit të përbashkët në festën e mbretit të Jordanisë, mbretit Abdulla, i cili adresoi një vëmendje dhe një dëshirë shumë të veçantë që më la mbresa të forta për të thelluar miqësinë dhe për të nisur bashkëpunimin me Shqipërinë. Së fundi, ishte vizita në Turqi, gjithashtu një vizitë e cila rikonfirmoi edhe njëherë miqësinë tradicionale, por edhe bashkëpunimin kryesisht në fushën e sigurisë midis Shqipërisë edhe Truqisë. Një vizitë shumë e veçantë ka qenë edhe në Urdhrin Maltez, ku vetë Urdhri Maltez për nga mënyra e organizimit dhe personazhet që ishin ftuar (organizuar në Romë) jo vetëm anëtarët e bordit të Urdhërit Maltez, por edhe konteksti që ne kemi përgjatë 25 viteve të fundit është shumë interesant me Urdhërin Maltez dhe vullnetarët e tyre në Shqipëri. Pra ky vit, ka pasur një intensitet shumë të madh të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Kalojmë tek 2017-ta, është një vit shumë decidiv për ju. A do të rivendosni të kandidoni, mandati juaj mbaron në korrik zyrtarisht, por zgjedhjet për presidentin e ri apo fushata për presidentin e ri fillon diku nga fillimi i prillit apo mesi i tij. A do rikandidoni sërish, ju z.Nishani?

Kjo çështje ka dy anë, së pari është gatishmëria për të vijuar kontributin kur unë jam zgjedhur president. Në kohën kur unë jam zgjedhur nuk ka qenë një kërkesë apo garim personal, ka qenë një propozim politik, kam ofruar gatishmërinë time, jam mbështetur dhe në varësi e në raport të mbështetjes që mu dha, kam ofruar kontributin tim duke vënë dhe interesin publik dhe mendoj se ka qenë e rëndësishme për interesin publik qenia e një presidenti në zyrën e kreut të shtetit, cili nuk ishte një president që të mbetej nën hijen e qeverisë. Në kuptimin institucional. Ana tjetër e medaljes ka të bëjë me procedurën e zgjedhjes, ne jemi një republikë parlamentare dhe zgjedhja formale e presidentit varet nga mazhoranca parlamentare, kuptohet se kjo mazhorancë ka ndryshuar nga ajo kur unë u zgjodha para katër vitesh e gjysmë. Kështu që duhet të përputhet vullneti dhe gatishmëria e individit për të ofruar mbështetjen politike.

E ke diskutuar këtë gjë me kryeministrin Edi Rama që është kreu i mazhorancës?

Jo nuk e kam diskutuar. Sepse, nuk duhet të vijë fillimisht, kërkesa dhe inspirimi nga presidenti.

As me z.Meta?

As me z.Meta dhe me asnjë tjetër. Nëse shumica në parlament apo parlamenti si institucion do të gjykojë që është interesi i vendit, është interesi publik, është interesi i qytetarëve shqiptar që të vazhdoj një mandat tjetër ky president që është në detyrë, unë kam ofruar gatishmërinë time. Se si do variojnë pasta rrethanat në fillim prillin e ardhshëm kjo mbetet pastaj për t’u parë.

Z.President në qoftë se ju nuk do të garoni për një mandat të dytë presidencial, në moshën 51-vjeçare del nga zyra e presidentit, supozojmë gjithmonë, do vazhdoni të jeni i angazhuar?

Unë do mbetem i angazhuar në politikë padyshim, sepse politika është investimi im i vetëm është fusha në të cilën unë edhe kam përfituar dhe përfitimi është eksperienca, njohuritë e mëdha që kam me sfidat me mënyrën se si sfidat që ka Shqipëria dhe shqiptarët duhen përballur. Kam dhënë një eksperiencë shumë të madhe dhe shumë të gjerë. Kështu që unë nuk mund ta shpërdoroj gjithë këtë eksperiencë që kam fituar.

Ju keni kaluar disa vite më parë një moment shumë të vështirë shëndetësor. Sa i fortë duhet të jetë njeriu për të kaluar momente të tilla të vështira në jetë?

Padyshim që ka të bëjë karakteri, karakteri individual, mënyra se si je formësuar në rrugëtimin tënd.

Ka qenë një moment i vështirë për ju për ta kaluar?

Ka pasur vështirësi, por unë jam ndjerë jo vetëm i fortë, por jam ndjerë edhe shumë i inspiruar për të kaluar çdo vështirësi që sollën ato momente. E kaluara ime, pra, përgatitja e karakterit dhe le të themi e forcës së brendshme inspiruese që duhet të ketë një qenie njerëzore, njeriu për t’u përballur por edhe për t’i perceptuar. Së dyti, është kapaciteti intelektual për fatin e mirë, i cili nuk u cenua por përkundrazi eksperienca dhe dinamika e përditshme e pasuruan akoma edhe më shumë kapacitetin intelektual si qenie njerëzore edhe në këtë rast.

Ku e festoni festën?

Në familje, në shtëpi, në atë që ne e kemi banesën e Presidentit të Republikës. Unë gjithmonë e kam festuar me familjen, e kam preferuar festën t’a kaloj me familjen. Sikur e përjetoj dhe e ndjej më shumë, si dhe relaksohem më shumë pranë familjes në shtëpi. Në këto festa, gjithmonë dëshirojmë, nga rrethi familjar të kishim një prezencë më të madhe. Do të jem më familjen time, me prindërit, me vëllezërit, si dhe me prindërit e Odetës, bashkëshortes time dhe njerëzit e saj.

Z. President, ju falënderoj për intervistën. Duke përfituar nga ky moment, ju uroj gëzuar Vitin e Ri.

Faleminderit. Gëzuar edhe ju personalisht, por edhe familjes tuaj. Gëzuar dhe mbarësi gjithë shqiptarëve.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme