Gazetare: Fatlume Dervishi
Nisi dhe përfundoi totalisht lart syve të mediave takimi mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kreut të Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, i përfolur prej shumë kohës. Kreu i ASH-së, për dallim prej mënyrës së si rëndom mbahen këtu takime, hyri dhe doli përmes garazhit të godinës së ekzekutivit, duke ju shmangur mediave. Takimi që zgjati rreth një orë mësohet se ishte pa epilog konkret megjithatë në tavolinë u hodhën të gjitha pyetjet e ditëve të fundit. Burime nga qeveria thonë për Alsat se takimi përfundoi në frymë konstruktive kurse bisedimet do të vazhdojnë. Deri në fund të muajit maj Mickoski i dha afat Taravarut që t’i jepet përgjigje pyetjes së madhe, a do të përcaktohet ai për bashkëpunim me BDI-në në zgjedhjet lokale, ose do të zgjedhë të vazhdojë të jetë pjesë e koalicionit qeveritar. Alsat mëson se në tryez nuk janë hedhur plane ose opsione të tjerë shtesë, përveç këtyrë të dyjave. “Mickoski në takim i konfirmoi pozitat e shprehura tashmë edhe publikisht”, thonë po të njëjtat burime.
Kryeministri më herët gjatë ditës deklaroi se Taravari ka dy opsione, në qeveri për reforma dhe ndryshime ose me ata që për dy dekada kriminalizuan shtetin, një opsion i tretë nuk ekziston. Taravari tha se nuk ka marrëveshje me BDI-në, dhe se kur të ketë, nuk do të synojë të jetë më pjesë e qeverisë.
“Si person, kam mendim pozitiv për z. Taravari por në politikë fytyra është diçka që e ke ose që nuk e ke, nuk ka variante fluide. Ose e mban fjalën ose nuk e mban. Unë mendoj se në rastin e tij të paktën tre herë e kam dëshmuar dhe e kam mbajtur fjalën, edhe kur ka pasur momente kur kryesia e partisë ka pasur dilema. Prandaj lojërat pas krahëve janë lojëra që shihen, lehtë identifikohen dhe vërehen dhe shpesh këto lojëra pas krahëve u bien mbi kokë atyre që i bëjnë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
“Unë e shoh se VLEN-i sikur selvilosen dhe me çdo kusht duan të jenë në qeveri. Nëse është ky kushti neve s’na pengon aspak hiç, le të vazhdojnë, le të rrinë, por duken keq nga jashtë dhe lënë përshtypje shumë të keqe. Për ne nuk ka asnjëfarë problemi. Në qoftë se është ky kushti, me kënaqësi do ta pranojmë. Në momentin që do të vendosim ose kur kryesia e partisë të vendosë të shkojmë me BDI-në, as që kërkojmë ne (të jemi) në qeveri, as që duam të jemi pjesë e qeverisë. Por tash për tash kryesia qendrore ka vetëm një vendim që të dalim me listat tona të veçanta për këshilltarë komunal”, u shpreh Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Në kalkulimet e matematikat për zgjedhjet lokale, Taravari deri më tani nuk e ka përjashtuar BDI-në si opsion bashkëpunimi. Kontaktet me Ahmetin fillimisht i quajti si “kanale komunikimi”, duke deklaruar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte të tilla, por kjo u përgënjeshtrua nga Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Zeqirja Ibrahimi. Liderët e VLEN-it disa herë paralajmëruan Taravarin që të ndërpesë bisedimet me BDI-në, por Taravari kishte deklaruar se ASH-ja është parti autonome dhe se vendimet i marrin organet e partisë. Ai në fund e pranoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kreun e BDI-së Ahmetin në ditët kur Aleanca për Shqiptarët duhej të vendoste për formatin e pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme lokale./Alsat.mk