Prokuroria Themelore e Gjilanit është duke e hetuar Mimoza Kusari-Lilën për më shumë se një vit, për veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare si kryetare e Komunës së Gjakovës. Hetimet janë hapur bazuar në një kallëzim penal të deponuar në Prokurori. Ky kallëzim penal e implikon Kusari-Lilën në servisimin e një veture private të kompanisë “Mabetex Holding”. Ajo është nën hetime edhe për privatizimin e katër hidrocentraleve nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me KEDS-in në vitin 2013.
Mimoza Kusari-Lila është duke u hetuar sërish nga Prokuroria e Shtetit. Më parë ajo ishte hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, lidhur me punën e saj si ministre e Tregtisë dhe Industrisë.
Megjithatë një hetim të radhës ndaj Kusari-Lilës e ka nisur Prokuroria Themelore në Gjilan në muajin maj të vitit të kaluar.
Hetimi ka të bëjë me një kallëzim penal të dorëzuar në Prokurori nga një person vitin e kaluar, sipas të cilit pretendohet se Kusari-Lila ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar në tri raste të veçanta gjatë periudhës sa kishte udhëhequr Komunën e Gjakovës.
Në këtë kallëzim penal, Kusari-Lila implikohet në servisimin e një veture private të kompanisë “Mabetex Holding” – e cila është në pronësi të Behgjet Pacollit, multi-milionerit dhe ish-shefit të saj në Aleancën Kosova e Re (AKR), raporton Gazeta Online Insajderi.
Sipas kallëzimit penal, në vitin 2014, Komuna e Gjakovës kishte bërë servisimin e një veture të firmës “Mabetex Holding” me para të shtetit. Vlera e servisimit të kësaj veture arrinte shumën e 872 eurove.
“Në vitin 2014, kjo komunë, ka bërë servisimin e veturës me targa të regjistrimit 01-395-BH, në vlerë prej 872 euro (tetëqind e shtatëdhjetë e dy), me ç‘rast i njëjti automjet i servisuar është privat dhe nuk gjendet në regjistrat e pasurisë së komunës së Gjakovës, por i njëjti ka qenë pronë private e kompanisë private ‘Mabetex Holding’”, thuhet në kallëzimin penal, të cilin e ka siguruar Insajderi.
Asokohe, në vitin 2014, marrëdhëniet e Behgjet Pacollit dhe Kusari-Lilës kishin qenë shumë të ngushta. Kreu i AKR-së e kishte kthyer fokusin kah Komuna e Gjakovës pasi partia e tij kishte arritur të fitonte për herë të parë besimin për qeverisjen e një komune.
Pacolli kishte dhënë shenja se ai dhe Kusari-Lila i kryenin favore njëri-tjetrit.
Madje në një intervistë dhënë mediave vitin e kaluar, pas largimit të Kusari-Lilës nga AKR-ja, Pacolli deklaronte se për Mimoza-Kusari-Lilën kishte shpenzuar miliona euro. Të gjitha këto para, sipas tij, ishin investime dedikuar Gjakovës.
Përveç çështjes së parë, Mimoza Kusari-Lila është duke u hetuar edhe për dy çështje të tjera nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar në kohën kur udhëhiqte me Komunën e Gjakovës.
Njëri prej rasteve ka të bëjë me subvencionimin e Klubit të Futbollin Vëllaznimi nga Gjakova, në vitin 2014. Komuna që asokohe udhëhiqej prej Kusari-Lilës kishte ndarë mbi 53 mijë euro për subvencionimin e KF Vëllaznimit, së sipas kallëzimit penal “është në kundërshtim me kërkesat e nenit 9 të Rregullores së Brendshme komunale”.