Nisin ndryshimet në Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, me të marrë detyrën e ministrit ka iniciuar plotësim-ndryshimin e legjislacionit që ndërlidhet me fushën e konfiskimit të pasurisë së paligjshme dhe se këto ndryshime do t’ia drejtojë kabinetit qeveritar.

Këtë e ka bërë të ditur vetë ministri Tahiri në hapjen e punëtorisë dyditore që po mbahet në Prishtinë në lidhje me menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

“Ju jeni të informuar që unë në fillim të punës time kam filluar plotësim ndryshimin e legjislacionit që ndërlidhet me fushën e konfiskimit të pasurisë së paligjshme dhe në një të ardhme të afërt do t’ia drejtojë Qeverisë së Republikës së Kosovës këto ndryshime dhe pastaj jam shumë i bindur që do ta gjej përkrahjen edhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t’i miratojë këto ndryshime. Pra, sundimi i rendit dhe ligjit në Kosovë do të jetë fusha, do të jetë prioriteti i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në këtë fushë do të kemi angazhim maksimal”, tha Tahiri.

Sipas tij, konkluzionet që do të dalin nga kjo punëtori do t’i integrojë në planin e tij të punës në cilësinë e ministrit të Drejtësisë.

Tahiri tha se Qeveria e Kosovës ka objektiv dhe prioritet luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërkohë që potencoi faktin se bashkëpunimi rajonal në luftën kundër krimit të organizuar është shumë i rëndësishëm.

“Ju jeni të informuar se pak ditë më parë është konsoliduar Qeveria e re Republikës së Kosovës dhe kjo Qeveri objektiv dhe prioritet të saj ka luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Bashkëpunimi rajonal në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është jashtëzakonisht e rëndësishme, pra Ballkani Perëndimor duhet edhe më tutje ta rris bashkëpunimin në luftën kundër kësaj dukurie negative. Pra, si Ballkan Perëndimor ne duhet të shndërrohemi në një aset të Bashkimit Evropian, duhet të fillojmë të mendojmë që të eksportojmë siguri dhe të mos jemi vend i trafiqeve ilegale”, tha ai.

Në këtë punëtori e cila mbahet sot dhe nesër janë pjesëmarrës nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Sllovenia, Bosnja, Mali i Zi dhe Kroacia.

Punëtoria dyditore është organizuar nga TAIEX dhe Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme