Me fillim nga ora 9 lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj nesër do të dal para Gjykatës në Francë.
Me këtë rast pritet edhe që të merret vendimi përfundimtar për Haradinajn.
Ish kryeministri i Kosovës, ditë më parë ka deklaruar gjithashtu se me rastin e kthimit të tij në Kosovë nuk dëshiron pritje shtetërore.
I kontaktuar nga Indeksonline, zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj ka theksuar se AAK është duke u marrë me përgatitjen që do të shënojnë kthimin e Haradinajt.
“Nuk do të ketë ceremoni shtetërore, por familjare e qytetare. Për të gjithë ata që e presin Ramush Haradinajn dhe numri i tyre është jashtëzakonisht i madh, të premten do të ketë një tubim popullor në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, ku qytetarëve do t’u drejtohet vet Haradinaj”, ka thënë Nitaj.
Po ashtu Nitaj ka shtuar se nëse në rastin Haradinaj vendos drejtësia, ai nesër do të kthehet në Prishtinë dhe do të jetë në agjendën e tij politike e familjare.
“Ne po besojmë se është kuptuar tashmë se kërkesat e Serbisë në raport me Haradinajn janë politike dhe unë besoj se edhe do të marrin përgjigjen e duhur”, ka përfunduar Haradinaj.
Ndryshe ish komandanti i UÇK-së për rajonin e Dukagjinit vazhdon të jetë i ndaluar në Francë që nga muaji janar me një urdhërarrest të lëshuar nga shteti serb./Indeksonline/