Një automjet ka shpërthyer në bulevardin “Koço Racin” sonte në ora 20:05, në afërsi të gjimnazit “Korçagin” të Shkupit.
Në momentin kur automjeti ka marrë flakë, aty pranë ka qenë ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska. Në një prononcim për “A1on”, Petrovska ka konfirmuar se e ka vërejtur ngjarjen, por mohon se i është kërcënuar siguria.
“Gjithçka është në rregull, një rastësi e pastër. Unë po ecja në anën e kundërt të bulevardit dhe në atë moment mjeti shpërtheu. Nuk ka të bëjë me mua, dhe me sa di unë nuk ka të lënduar, drejtuesi i mjetit është mirë”, tha Petrovska.
Grupi hetimor i MPB-së ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar se mjeti i drejtuar nga njëzet e një vjeçari T.S. ka marrë flakë teksa ai po e operonte. Nga poshtë kapuçit ka filluar të dilte tym dhe më pas brenda pak kohësh mjeti është djegur plotësisht, thuhet në raportin e punonjësve të policisë.