Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve ka ndodhur në Shqipëri, në aksin Lushnje-Fier, transmeton Gazeta Metro.
Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur ‘Rrethrrotullimi i Kolonjës’, ku mjeti i tipit “DAIMLER CHRYSLER”, me targë AA 277 GN, ka dalë nga rruga duke përfunduar në kanal.
Pasi u dërguan në spitalin e Lushnjes në gjendje të rëndë, një prej personave që ndodhej në makinë ndërroi jetë. Ai është identifikuar si Orges Shabani nga Rroskoveci. Sa i përket dy të plagosurve, ata ndodhen në gjendje të rëndë nën kujdesin e mjekëve.
Shkak i aksidentit mendohet se ka qenë mjegulla e dendur, e cila ka bërë që drejtuesi i mjetit të mos ketë parë rrethrrotullimin.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.