Gazetare: Melihate Rustemi
Një 83-vjeçar nga Shkupi ka humbur jetën pasi ishte infektuar me virusin e Nilit Perëndimor. Te pacienti ishte konfirmuar forma neuroinvazive e sëmundjes, ndërsa i njëjti kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Sipas drejtorit të Klinikës Infektive, Fadila Cana pesë pacientë të tjerë janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen në repartin e kujdesit intensiv, ku janë të lidhur me ventilim mekanik. Cana informoi se gjatë këtij viti në Klinikë kanë qenë ose janë të shtruar gjithsej 29 pacientë të dyshuar me ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa 25 prej tyre kanë rezultuar të konfirmuar laboratorikisht.
“Këta pacientë trajtohen normalisht në Klinikën e Sëmundjeve Infektive. Katër prej tyre ende konsiderohen raste të dyshuara dhe tek ata vazhdon procesi diagnostikues. Duhet të them se nga numri i përgjithshëm i pacientëve deri tani, pra edhe ata pacientë kanë pasur formën neuroinvazive, tetë pacientë janë shëruar, janë liruar nga spitali dhe po vazhdojnë rikuperimin në shtëpi”, tha Fadil Cana, drejtor I Klinikës Infektive.
Shumica e të prekurve janë persona të moshuar. 22 nga 26 pacientët janë mbi 60 vjeç ndërsa katër persona janë të moshës 50 deri në 59 vjeç.
“Bëhet fjalë për raste autoktone, pra të infektuara këtu në vendin tonë. Një person ka pasur të dhëna për udhëtim në Greqi, megjithatë periudha e inkubacionit nuk e përjashton mundësinë që edhe gjatë asaj periudhe të ketë qëndruar në vendin tonë”, sqaroi Marija Goçevska nga Instituti I Shëndetitt Publik.
Për shkak të rritjes së numrit të rasteve dhe aktivitetit të virusit, Qendra për Shëndet Publik Shkup ka shpallur epidemi të etheve të Nilit Perëndimor në disa komuna dhe vendbanime të Shkupit. Epidemia është shpallur në komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden, si dhe në vendbanimet Draçevë, Przhino, Dolno Lisiçe, Kadino dhe Jurumleri. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, thotë se nuk ka vend për panik, por për kujdes dhe përgjegjësi.
“Kjo nuk është një sëmundje e re; ajo ka qenë e pranishme edhe gjatë viteve të mëparshme, ndërsa këtë vit, për shkak të situatës aktuale epidemiologjike, numri i rasteve të konfirmuara dhe aktiviteti i virusit kanë bërë të nevojshme një përgjigje të forcuar institucionale. Ne po e monitorojmë situatën në koordinim me të gjitha institucionet, me qëllim që të identifikojmë dhe trajtojmë rastet në kohë, si dhe të parandalojmë shfaqjen e rasteve të reja”, theksoi Jovica Andonovski, zv ministër i Shëndetësisë.
Autoritetet apelojnë që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të marrin masa për mbrojtje personale, duke veshur rroba të përshtatshme dhe duke shmangur vendet ku ekspozimi ndaj mushkonjave është më i madh. Njëkohësisht, përveç dezinfektimit, institucionet do të punojnë edhe në ndërgjegjësimin e qytetarëve për mënyrat e reduktimit të numrit të mushkonjave. Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të largojnë enët, objektet dhe sipërfaqet ku mund të grumbullohet uji dhe ku mund të shumohen mushkonjat, përfshirë pishinat, shatërvanët dhe sipërfaqet e tjera ujore. /Alsat.mk
The post Një i vdekur nga Nili Perëndimor, shpallet epidemi në disa komuna të Shkupit appeared first on Alsat.



