Një letër e Luigj Gurakuqit e vitit 1906

Në studimet për shkrimin e shqipes në fillim të shekullit XX dhe për veprimtarinë e Luigj Gurakuqit, njërës nga figurat më të rëndësishme të kulturës, letrave dhe jetës publike e politike shqiptare, “apostullit të shqiptarizmës”, siç e pati quajtur Selman Riza, janë vënë në pah tashmë gjërat themelore dhe janë theksuar shumë herë meritat e tij të mëdha, shkruan sot në Koha Ditore akademik Rexhep Ismajli.

Lidhur me përpjekjet për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, që në fillim të shekullit ishte bërë tashmë dhe një çështje e rëndësishme jo vetëm e gjuhës dhe e kulturës, po edhe e jetës publike politike e shoqërore, është vënë në pah se Luigj Gurakuqi kishte dhënë një ndihmesë me vlerë qysh me pjesëmarrjen e tij aktive në shoqërinë “Bashkimi” më 1899 (në moshën njëzetvjeçare), me angazhimin për një alfabet mbi bazë të alfabetit latin. Përmendet zakonisht artikulli i tij “Mbi njësimin e alfabetit kombëtar” i vitit 1899, ku analizohen alfabetet e shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, të arbëreshëve të Italisë, konkretisht të De Radës, të Skiroit, të Cremonesit, të “Albania-s” të Brukselit dhe të gazetës “Shqipëria” të Bukureshtit (Luigi Guracucchi: L’unificazione dell’alfabeto nazionale, në La Nazione Albanese, viti III, nr. 9, f. 7, 15 Maj 1899, Pallagorio (Catanzaro), sipas Jup Kastrati: “Histori e gramatologjisë shqiptare (1635-1944)”, “Rilindja”, Prishtinë, 1980, f. 270, 295.

Me pseudonimin Lek Gruda ai kishte botuar dhe artikullin “Albania e Shoqëria e Bashkimit. Themelimi i gjuhës letrare”, tek Albania IX, 2, 47-50, London 1905, siç raporton J. Kastrati në f. 275, 295 të librit të tij. Dihet po ashtu se L. Gurakuqi ishte pjesëmarrës shumë aktiv dhe i rëndësishëm i Kongresit të Manastirit si përfaqësues i Shkodrës dhe i arbëreshëve të Italisë. Lidhur me veprimtarinë e tij në fushën e njësimit të alfabetit të shqipes në vitet para Kongresit të Manastirit, Jup Kastrati në po atë vend përmend dhe dy botimet e tij me pseudonimin Lek Gruda: “Abetare per msojtore filltare t’Shqypnis”, libri i parë, Tipografia Editrice Cv. A. Tocco A. Salvietti, 1905, ff. 88 dhe “Abetar i vogël shqyp mbas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit, me tregime n’t’dy dhialektet”, Bukuresht, 1906, ff. 28 (sipas Kastrati, po aty, f. 295). Më vonë ai kishte botuar dhe një “Shtim i abetarit shqip për çunat”, Athinë 1912, ndërsa me çështje të gjuhës ishte marrë aktivisht edhe më vonë deri në vitet 1918, përfshirë veprimtarinë e frytshme në kuadër të Komisisë Letrare shqipe (1916-1918).

Këtu kemi rastin të sjellim një letër, më duket të panjohur, të Luigj Gurakuqit për çështjen e alfabetit të shkruar në Shkodër më 30 mars 1906, pra dy vjet para Kongresit, dhe, sipas gjase para botimit të broshurës së përmendur në Bukuresht. Letra është shkruar me dorë me kaligrafi të bukur e të lexueshme, me alfabetin e Stambollit (apo të Samiut), që kishte përdorim të gjerë në Shqipërinë e jugut. Në letër ai jepte njoftimin se bashkë me të po dërgonte “një dorëshkrim të vogël, një Abetar të përkrahur [të krahasuar] pas abevet të ‘Bashkimit’ e të ‘Frashërit’”, duke theksuar qëllimin e qartë, të vënë dhe në parathënie: “të përhapnjë të dy abetë ndë Shqipëri”. (Artikullin e plotë bashkë me letrën e tejshkruar në alfabetin e sotëm, nga akademik Rexhep Ismajli, mund ta lexoni në edicionin e sotëm të “Shtojcës për Kulturë” në Koha Ditore)

© KOHA. 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme