Një profil i kriminelit të luftës dhe poetit, Radovan Karaxhiq

Gjykatësit e Tribunalit të Hagës për Krime lufte e dënuan kriminelin e luftës Radovan Karaxhiq përfundimisht me burgim të përjetshëm. Të mërkurën (20.03) u dha verdikti përfundimtar pas apelimit të burgimit me 40 vjet.

Afër 20 vjet pas masakrës së Srebrenicës, përgjegjësi kryesor politik, ish-drejtuesi i serbëve, Radovan Karaxhiq, 73 vjeçar u dënua me burgim të përjetshëm. Këtë e bënë të ditur gjykatësit e Tribunalit të Hagës të mërkurën. Në instancën e parë Karaxhiqi u dënua me 40 vjet burgim.

Kriminel lufte dhe poet

Karaxhiqi – psikiatër, poet dhe në vitet 1990 politikan i fuqishëm. Për shumë në Bosnjë-Hercegovinë ai është thjesht kriminel lufte – një rast për psikiatri. Radovan Karaxhiqin e bëjnë përgjegjës për krimet më të tmerrshme të luftës, që u kryen në Bosnjë-Hercegovinë në luftën gati katërvjeçare (1992-1996).

Karaxhiqi, ndërkohë 73 vjeç, sipas akuzës mban si ish-udhëheqës i serbëve në Bosnjë-Hercegovinë përgjegjësi për gjenocidin ndaj 8000 burrave dhe djemve myslimanë në qytetin e Bosnjës Lindore Srebrenicë. Veç kësaj atë e akuzojnë për krime kundër njerëzimit. Konkretisht: dëbim, vrasje me paramendim dhe tortura. Bëhet fjalë edhe për shkeljen e së drejtës së luftës në rastin e rrethimit të Sarajevës, raporton DW.

Radovan Karaxhiqi lindi në një fshat malazez në vitin 1945. Prej moshës 15 vjeçare ai jetoi në qytetin multikulturor atëherë të Sarajevës në Bosnjë-Hercegovinë. Por ai vjen nga një familje, e cila kishte në radhët e saj edhe çetnikë. Çetnikët janë ekstremistë nacionalistë serbë, të cilët angazhohen për Serbinë e madhe dhe që në Luftën e Dytë Botërore u mundën nga partizanët e Titos.

“Mendja luftarake e serbëve”

Pasi u shpërngul nga malet malazeze në Sarajevën e gjallë, ku përfundoi shkollën, ai studioi mjekësi. Për kualifikime të tjera ai madje kaloi një vit në Columbia State University në New York dhe hapi pas kësaj një klinikë private psikoterapie në Pale, në afërsi të Sarajevës. Emri i tij njihej që më parë si poet. Por “se si nga ky personalitet, i cili kishte kaq shumë anë, u bë më vonë një politikan, i cili mbronte pa dyshim një drejtim nacionalist, ky është një fenomen”, shprehet eksperti për Ballkanin, Franz-Lothar Altmann.

Tendencat e tij nacionaliste dalloheshin që në poezitë e tij, sepse që atje ai fliste për “mendjen luftarake të serbëve”, thotë Altmann. “Pastaj ai njohu Dobrica Çosiqin, i cili qe romancier nacionalist dhe u ndikua prej tij”.

Jo vetëm Dobrica Çosiqi e ndikoi botëkuptimin e Karaxhiqit. Ai njohu edhe Sllobodan Milosheviqin, ish-Presidentin e Serbisë, i cili vdiq megjithatë në vitin 2006, pa u shqiptuar vendimi gjyqësor nga Tribunali i Hagës. Në vitet 1980, Karaxhiqi njohu në burg Momqillo Krajishnikun, një mik të mëvonshëm të politikës, të cilin e dënuan në Hagë me 20 vjet për krime lufte.

Karaxhiqi ndenji 11 muaj në paraburgim, për shkak të gjoja shpërdorimit të parave. Pasi partia e tij Partia Demokratike Serbe (SDS) erdhi në pushtet, atë e shpallën të pafajshëm dhe Karaxhiqi u bë President.

Myslimani si “armik”

Në kohën që ishte politikan, Karaxhiqi zhvilloi gjithnjë e më shumë konceptin e myslimanëve si armiq. “Kjo me sa duket ishte një përcjellje e konceptit të armikut që ekzistonte më parë për osmanët”, thotë Altmann. “Myslimanët, myslimanët boshnjakë janë për të, në njëfarë mënyre, pasardhës të osmanëve, kundër të cilëve serbët, populli serb, u mbrojt dhe luftoi shumë gjatë”.

Boshnjakët dhe kroatët votuan në 1 mars 1992 në një referendum për një Bosnjë-Hercegovinë të pavarur. Serbët e bojkotuan votimin. Një muaj më vonë nisi lufta. Më parë në zonat e banuara serbe qe shpallur Republika Serbe, e cila më vonë mori emrin Republika Srpska dhe president i parë i së cilës qe Karaxhiqi. Në vitet që pasuan u vranë rreth 100.000 vetë, pati përdhunime masive dhe sistematike, qindra-mijëra vetë u dëbuan – në të gjitha palët. Dhe ndodhi gjenocidi në Srebrenicë, ku u masakruan rreth 8000 djem dhe burra myslimanë. Për kryerjen e masakrës në Hagë iu bë procesi kryekomandantit Ratko Mlladiq.

Të fshehur në Serbi

Mladiqi dhe Karaxhiqi jetuan për shumë vjet më pas të fshehur në Serbi. Karaxhiqi mori një identitet të ri me emrin Dragan Dabiq, ndryshoi edhe pamjen me mjekër dhe flokë të gjata. Pas presionit të konsiderueshëm nga BE-ja, pas 12 vjetësh Karaxhiqin e arrestuan në kryeqytetin serb Beograd. Gati tri vjet më vonë u arrestua Ratko Mlladiqi.

Në 24 mars 2016, Tribunali i Hagës shqiptoi vendimin kundër Karaxhiqit: 40 vjet burgim. Ndër të tjera për krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe rrethim të Sarajevës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme