Një raport për lajmet e rreme dhe gijotina e vërtetë mbi median shqiptare!

Së fundmi u publikua një raport, i cili ju është dorëzuar deputetëve të Parlamentit Europian që flet mbi   mbi situatën e dezinformimin në media, veçanërisht në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kapitulli që trajton situatën mediatike në Shqipëri në këtë këndvështrim, hapet me vetë kryeministrin Edi Rama.

Në të gjithë raportin e gjatë për shumë shtete, Rama, është i vetmi politikan dhe kryetar qeverie i cili akuzohet direkt si përhapës i lajmeve të rreme.

Si rasti më flagrant është marrë ai kohës së fillim pandemisë, kur kryeministri i Shqipërisë në kuadër të një fushate të paprecedentë frikësuese ndaj popullatës, publikoi në televizionin e tij social ERTV një fakenews të trashë.

Ai postoi një video ku policët rrihnin njerëzit në rrugë duke pretenduar se ngjarja zhvillohej në Spanjë në kuadër të masave të forta të qeverisë atje, anti-Covid.

Qëllimi i këtij lajmi të rremë shoqëruar, edhe nga tanke e ushtarë të armatosur në rrugët e kryeqytetit ishte ngulitja e frikës, jo edhe aq nga virusi, se sa ndaj qeverisë “së fortë”.

Por shumë shpejt u zbulua se ishte një faknews i pastër, sepse bëhej fjalë për filmime të vjetra të ndodhura në Algjeri gjatë “Pranverës arabe”.

Rama faktikisht është një përhapës recidivist, i lajmeve të rreme të qëllimshme.

Ka arritur deri aty sa që fjalët e një terroristi të Al Kaedës, Anëar al-Awlaki, i cili u vra bashkë me të birin në një sulm me dron nga SHBA, ja ka atribuuar profetit Muhamed. Apo kur vendoste pamje të Kukësit dhe diçitura ishte; “Bulqiza e rilindur”.

Në raportin në fjalë i cili për hir të vërtetës ka shumë kontradikta, një media me licensë kombëtare si “Top Chanel” nga njëra anë cilësohet si “kampione e fakenews” e certifikuar kështu nga FB, nga ana tjetër i vishet cilësimi media “opozitare”.

Konstatimi se Top Chanel në këto kohë është opozitar me qeverinë, me shumë mundësi ka bërë të gajaset së qeshuri edhe vetë Edi Ramën.

Në raport përmendet edhe “Syri.net” për rastin e 1300 kotenirëve me mbetje që pretendohej se kishin hyrë në Shqipëri nga Italia, por mediat në shërbim të qeverisë e hoqën pasazhin ku shkruhej se burimi i lajmit ishin mediat italiane dhe tentuan që të nxjerrin Syri.net si autor të këtij fakenews-i.

Në historinë e pluralizmit mediatik dhe politik shqiptarë si “diamant i zi mbi kurorë” qëndron një histori thriller fakenewsi, me protagonist Erion Velinë dhe Edi Ramën, i cili deri në momentin e dënimit të tyre, do të duhej që të mos hiqej kurrë nga raportet e përvitshme ndërkombëtare.

Bëhet fjalë për historinë e Griselda Zaimit, ish bashkëshortja e kandidatit për kryetar bashkie në Kavajë nën siglën e PS, të të famshmit Elvis Roshi me 7 emra.

Trillimi, i denjë për filma horror, ku kishte brenda rrëmbime, pengmarrje dhe abort me dhunë, u bë publik nga vetë Erion Veliaj asokohe anëtari i Asamblesë së PS-së dhe nën kujdesin personal të Edi Ramës.

Duke përzier ish-kryeministrin Berisha në këtë “përrallë” makabre arritën deri aty sa që alarmuan jo vetëm opinion publik në Shqipëri, por edhe ndërkombëtarët.

Të dy protagonistët e këtij fakenews-i horror prej 8 vitesh janë në krye të pushtetit të Shqipërisë dhe kryeqytetit. Imagjinoje se çfarë janë të aftë të bëjnë sot ata në pushtet, duke pasur nga prapa një makineri gjigante të fakenews-it dhe retushimit të realitetit.

Në fakt buja që ju dha këtij raporti të fundit “faktmbledhës” të porositur te një OJF për deputetët e Parlamentit Europian, nuk përkon fare me realitetin mediatik në Shqipëri.

Problemet e vërteta të medias opozitare dhe kritike në vendin tonë kanë të bëjnë me planin e detajuar në veprim të Edi Ramës për të blerë, kapur dhe shantazhuar deri në mbyllje atë pjesë të medias që refuzon ti nënshtrohet.

Nëse doni që të lexoni një raport të thelluar, le ti rikthehemi atij vjetor të Platformës së Këshillit të Europës për të Promovuar dhe Mbrojtur Gazetarinë dhe Sigurinë e Gazetarëve (2020).

Në këtë raport gjeni të gjitha rastet, kur qeveria e Edi Ramës ka urdhëruar mbyllje emisionesh dhe mediash online, të cilat kanë qenë kritike ndaj tij.

Alarmet e dhëna në vitin 2019 për Shqipërinë, Turqinë dhe Ukrainën, nxorën në pah vendimet gjyqësore ose rregullatore që bllokojnë aksesin në faqet e internetit që përmbajnë lajme dhe informacione

Më 1 dhjetor 2019, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, urdhëroi Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare të bllokojë portalet e lajmeve në internet me justifikimin e shpërndarjes së `lajmeve të rreme’, që shkaktuan panik pas tërmetit shkatërrimtar.

Në fund të dhjetorit 2019 kishte 11 alarme aktive për Shqipërinë, me 7 raste të reja të paraqitura në Platformë në vitin 2019, krahasuar me vetëm 1 në vitin 2018.

Sipas KE, katër alarme kishin në fokus ngacmimin dhe frikësimin e gazetarëve, përfshirë dhunën fizike.

Më 13 prill 2019, disa gazetarë u lënduan kur policia shqiptare hodhi gaz lotsjellës drejt turmës së njerëzve gjatë një demonstrate në Tiranë.

Një reporter thuajse humbi ndjenjat nga gazi lotsjellës dhe ishte i paaftë për të bërë punën e tij. Një tjetër u godit në kokë me një shkop metalik nga një oficer policie i dyshuar.

Televizioni ‘News 24’ njoftoi mbylljen e dy emisioneve: ‘Të Paekspozuarit’ të Ylli Rakipit dhe ‘Krasta/A Show’ të Adi Krastës.

Të dyja emisionet ishin kritike ndaj Kryeministrit Edi Rama. Gazetari Adi Krasta e kishte ndërprerë punën me emisionin e tij, pas raportimeve se presidenti i ‘News 24’, Irfan Hysenbelliu, ishte ‘kërcënuar’ nga Kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Këshilli Shqiptar i Mediave, një OJQ që përbëhet nga gazetarë dhe profesionistë të mediave, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se shfrytëzoi situatën pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 për të mbyllur ose bllokuar mediat kritike në internet. Më 30 nëntor 2019, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare bllokoi portalin e lajmeve ‘joqalbania.com’.

Sipas këtij raporti, një tjetër çështje madhore në Shqipëri ishte edhe një seri ndryshimesh ligjore në ligjet nr. 9918 ‘Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë’ dhe nr. 97/2013 ‘Për median audio-vizuale në Republikën e Shqipërisë’, që do t’u jepnin më shumë fuqi autoriteteve shtetërore për të rregulluar përmbajtjen e publikuar nga media online.

Ky legjislacion u prezantua si paketa ‘anti-shpifje’ dhe u miratua nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë më 3 korrik 2019.

Në dhjetor 2019, parlamenti shqiptar miratoi këto ndryshime ligjore me shumicë të madhe votash. Pasi Presidenti shqiptar i ktheu ligjet për shqyrtim, shumica parlamentare ra dakord të presë mendimin e Komisionit të Venecias përpara se të votonte paketën legjislative me një procedurë të përshpejtuar në mars 2020.

Ky ligj ende në tentativë është edhe një nga kushtet e Bashkimit Europian për nisjen e bisedimeve ndërqeveritare për hapjen e negociatave

Edhe pasi publikimit të draftit të mendimit të Komisionit të Venecias, i cili theksonte se ky ligj rrezikonte që të krijonte më shumë problem se të mira për lirinë e medias, kryeministri Rama deklaroi, se ligji do të çohet përpara.

Duke hasur në këtë bllokadë ndërkombëtare për të vendosur përfundimisht medien nën zap, së fundmi Edi Rama ka gjetur një shteg të ri nëpërmjet Kodit Penal.

U zbulua këto ditë një dokument i Ministrisë së Drejtësisë i cili mbart ndryshime të thella në kodin penal të vendit duke zgjeruar kufijtë e asaj që konsiderohet shpifje në krahasim me kodin aktual; duke ashpërsuar gjobat dhe duke krijuar një mbrojtje të veçantë për zyrtarët e lartë.

Nëse bëhet realitet, këto ndryshimet në kodin penal do të jenë nisma e katërt e qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe e pesta (përfshirë amendamentin Bregu) që synon të censurojë ose shtyjë drejt vetë-censurës median nën kërcënimin e gjobave dhe burgut.

Të pesta nismat e mëparshme, amendamenti Bregu në vitin 2015, dënimi me tre vjet burg i “shpifësve” ndaj kryeministrit, projektligji për Tregtinë Elektronike dhe paketa antishpifje, kanë dështuar deri më tani që të miratohen në Kuvendin e Shqipërisë pas protestave vendëse dhe ndërkombëtare.

Kjo është gijotina e vërtetë, këto janë realisht hallet dhe rreziqet ekzistenciale për median e lirë dhe kritike në Shqipërinë e Edi Ramës, të tjerat mund të konsiderohen vetëm problematika të rritjes.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme