Një tërmet me magnitudë 7.4 ballë ka goditur qytetin bregdetar lindor të Tajvanit, Hualien, transmeton Anadolu.
Qendra e Vrojtimeve Gjeologjike të SHBA-së (USGS) njoftoi se epiqendra e tërmetit me magnitudë 7.4 ballë është 18 kilometra në jug të qytetit Hualien.
Tërmeti në thellësi prej 34.8 kilometrash ka shkaktuar dëme në vendbanimet e rajonit. Sipas raportimeve fillestare kanë humbur jetën 4 persona dhe janë lënduar mbi 90 të tjerë.
Administrata Qendrore Meteorologjike e Tajvanit (CWA) njoftoi se fuqia e tërmetit është 7.2 ballë, 25 kilometra në jug të Hualien-it dhe në thellësi prej 15 kilometrash.
CWA bëri të ditur se ky ishte tërmeti më i fortë që goditi Tajvanin në 25 vitet e fundit dhe paralajmëroi për valë gjigante për rajonet veriore të ishullit.
Përveç ishullit të Tajvanit, paralajmërime për cunami u dhanë edhe në Kinën kontinentale dhe shtetet përreth. Qendra e Paralajmërimit të Cunamit në Kinë ka lëshuar një “paralajmërim të kuq”, i cili është niveli më i lartë i sistemit të paralajmërimit me 4 faza.
– Regjistrohet edhe një tërmet 6.4 ballë
USGS njoftoi se 20 minuta pas tërmetit të parë ka ndodhur një tërmet i dytë me magnitudë 6.4 ballë 11 kilometra në verilindje të qytetit Hualien në thellësi prej 12.6 kilometrash.
Sipas të dhënave të USGS, përveç pasgoditjes 6.4 ballë, janë regjistruar edhe 16 lëkundje të tjera me magnitudë 4.7 deri në 5.7 ballë.
– Sipas vlerësimeve të para 4 të vdekur, mbi 90 të plagosur
Agjencia e Zjarrfikësve të Tajvanit njoftoi se 4 persona humbën jetën në Hualien. Të paktën 90 persona u raportuan të plagosur në qytetet Hualien, Yilan, Taipei, New Taipei, Keelung dhe Taoyuan.
Sipas raportimeve në mediat tajvaneze, shumë ndërtesa janë dëmtuar dhe shkatërruar në qytetin Hualien.
Autostrada Suhua në bregun lindor të Hualien-it u mbyll për trafikun për shkak të shembjeve ndërsa një pjesë e tavanit të Aeroportit Ndërkombëtar Taoyuan gjithashtu u shemb.
Shumë rrugë përreth Hualien-it dhe në brendësi të ishullit u mbyllën për transport për shkak të shembjeve dhe rënies së shkëmbinjve.
Sipas vëzhguesit të sigurisë kibernetike dhe internetit “NetBlocks”, disa pjesë të Tajvanit përjetuan ndërprerje të energjisë dhe internetit pas tërmetit. Kompania Elektrike e Tajvanit tha se shumica e ndërprerjeve ishin zgjidhur që nga ora 10:30 me kohën lokale.
Kompania e trenave me shpejtësi të lartë e Tajvanit njoftoi se nuk kishte asnjë aksident treni ose dëmtim të infrastrukturës nga tërmeti, duke shtuar shërbimet u ndaluan përkohësisht për qëllime inspektimi.
– Ushtria do të ndihmojë në punimet e kërkim-shpëtimit
Liderja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, duke shprehur shqetësimin e saj ndaj dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, udhëzoi ushtrinë që të mbështesë punimet e kërkim-shpëtimit në Hualien dhe rajonet tjera.
Lai Ching-te, nga ana tjetër, i cili u zgjodh lider i ri i ishullit në zgjedhjet presidenciale të mbajtura në fillim të këtij viti, bëri të ditur se qeveria pas tërmetit ka ngritur një qendër të emergjencës dhe ka kërkuar nga qytetarët të veprojnë me qetësi dhe kujdes.
Agjencia Japoneze e Meteorologjisë (JMA) paralajmëroi për një cunami që mund të arrijë një lartësi prej 3 metrash për ishujt Okinawa dhe Miyako në jugperëndim të vendit.
Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo njoftoi se valët gjigante pas tërmetit arritën në brigjet e ishujve Yonaguni dhe Ishigaki pranë Okinawas.
Raportohet se fluturimet u anuluan në Aeroportin Naha në Okinawa, i cili më pas u evakuua.
Sekretari kryesor i kabinetit japonez Hayashi Yoshimasa tregoi se aktivitetet e vlerësimit të dëmeve vazhdojnë në rajonin e Okinawas pas tërmetit.
Instituti filipinas i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë (Phivolcs) paralajmëroi për evakuimin e zonave bregdetare për shkak të rrezikut për cunami.
– Në tërmetin e vitit 1999 humbën jetën 2.400 persona
Në tërmetin me magnitudë 7.7 ballë që ndodhi 150 kilometra në jug të Taipeit në Tajvan më 21 shtator 1999, rreth 2.400 persona humbën jetën ndërsa mbi 100 mijë njerëz u plagosën dhe mijëra ndërtesa u shkatërruan.