Gazetare: Melihate Rustemi
Për mijëra të rinj, 1 Tetori shënon fillimin e një kapitulli të ri në jetën e tyre. Të mbërthyer me shumë emocione dhe pritshmëri, studentët e rinj nisën sot rrugëtimin akademik, me shumë plane, ëndrra dhe dëshirë për të mësuar. Për disa prej tyre, zgjedhja e studimeve lidhet me një profesion të ardhshëm, ndërsa të tjerë e shohin universitetin si mundësi për të zgjeruar njohuritë dhe për të kuptuar më mirë shoqërinë.
“Pres të arrijë suksese dhe në të ardhmen të bëhem gjykatëse”, tha një brucoshe.
“U dëshiroj brucoshëve fillim të mbarë, ti kalojnë të gjitha provimet, të shkojnë në mbrëmjet studentore, të shoqërohen sepse këto janë ditët më të bukura rinore”, u shoreh një student i vitit të dytë.
Përveç mësimit, një shqetësim tjetër i studentëve mbetet akomodimi.
“Jam vendosur në banesë bashkë me kushërirat e mia sepse vlerësojmë se do të kemi kushte më të mira kundrejt atyre në konviktet studentore. Për konviktet studentore nuk kam dëgjuar fjalë të mira”, tha një brucoshe tjetër.
“Jam përgatitur, do të jetë pak e vështirë në mjekësi por shpresojmë të kalojmë mirë. Jam vendosur në banesë, tashmë e kemi blerë dhe mendoj se është më lehtë aty”, vlerëson një brucoshe e Fakultetit të Mjeksisë.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se standardi studentor po përmirësohet gradualisht.
“Jemi të vendosur ta harmonizojmë arsimin tonë të lartë me standardet evropiane dhe nevojat e kohës së re. Të gjitha këto janë edhe kërkesa të studentëve. Ministria ka bashkëpunim të mirë me asociacionet studentore, gjithmonë jemi të hapur t’i dëgjojmë mendimet e tyre dhe kërkesat, dhe gjithçka që mund të bëhet, do ta bëjmë”, theksoi Vesna Janevska, ministre e Arsimit
Drejtuesit e universiteteve kujtuan studentët se rruga akademike kërkon përkushtim dhe përballje me sfidat.
“Përpara jush nuk do të ketë vetëm ditë të lehta, do të ketë sfida, dështime dhe momente kur do të pyesni veten nëse jeni në rrugën e duhur, kjo është një pjesë natyrore e çdo rritjeje”, tha Biljana Angellova, rektore e USHKM-së.
“Bashkëpunimet ndërkombëtare, mundësitë për studime me diploma të dyfishta, programet e shkëmbimit Erasmus me universitetet tona partner do t’ju japin hapësirë të zgjeroni përvojën tuaj akademike. Në këtë rrugëtim jini kurioz dhe kërkoni përgjigje, bëni pyetje, hulumtoni, shprehni mendimin e juaj dhe mësoni nga njëri tjetri. Vështirësitë do të jenë pjesë e të mësuarit”, theksoi Bekim Fetaji, rektor i UNT-së.
Rreth 15 mijë të rinj nisën për herë të parë studimet në fakultete të ndryshme në vend./Alsat.mk.
The post Një Tetori, brucoshët nisin rrugëtimin e tyre akademik appeared first on Alsat.



