Gjykata Themelore në Gjakovë, gjegjësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykimin dënues kundër të pandehurës M. Sh. për veprën penale, “Përvetësimi në detyrë”.
Sipas gjykatës, e pandehura M. Sh. është shpallur fajtore dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë muajsh dhe dënim me gjobë në shumën prej një mije (1000) euro, i cili dënim do të paguhet në afat prej pesëmbëdhjetë ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
“Gjithashtu, e pandehura M. Sh., obligohet që palës së dëmtuar, Institucionit mikrofinanciar ‘F.’ t’ia kompensojë dëmin në shumën prej njëzet e tre mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e shtatë (23.977,60) euro pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thotë Gjykata, raporton Koha.net.
E pandehura, sipas Gjykatës, është obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej pesëdhjetë euro, shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej njëzet e pesë euro si dhe shumën prej pesëdhjetë euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit.
“Gjatë shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të pandehurës M. Sh., gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike, e pandehura, nga janari i vitit 2018 deri në qershor të vitit të njëjtë, në cilësinë e personit zyrtar si arkëtare në Institucionin mikrofinanciar ‘F.’, në Degën në Rahovec, ka marrë shumën e të hollave prej katërmbëdhjetë mijë e dyqind (14,200.00) euro, e po ashtu ka përvetësuar pagesat e ratave të kredive të 40 klientëve në shumë prej nëntë mijë e shtatëdhjetë e shtatë euro (9.777,50) euro dhe të njëjtat pagesa nuk i ka regjistruar dhe nuk i ka futur në arkë”, ka thënë gjykata në njoftimin për media.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.