Partnerëve të koalicionit por edhe mbështetësve të tjerë të demarkacionit u duhet të luten që të mos ketë ndonjë vonesë në linjat ajrore nga Londra për në Prishtinë.
Nga atje, pritet të vijë deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila është anëtare e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kusari- Lila ka shkuar në Londër për të marrë pjesë në Samitin ndërkombëtar “Ndal dhunën ndaj grave”.
Pjesëmarrjen në këtë samit e ka konfirmuar vetë ajo në Twiter.
“20 orë udhëtim për më pak se 24 orë qëndrim në Londër për Samitin Ndërkombëtar ndal dhunën ndaj grave”, ka shkruar Kusari- Lila.
Nëse nuk ka ndonjë vonesë në linjat ajrore, siç mund të ndodhë fare lehtë, atëherë deputetja pritet të jetë në Prishtinë në mesditë.
Muajin e kaluar, Kuvendi e kishte shtyrë për orë të tëra seancën plenare në pritje të disa deputetëve që kishin shkuar në Mal të Zi në një vizitë zyrtare.
Por edhe kur mburriten ata, seanca u shty për shkak se nuk ishin siguruar së paku 80 vota për ratifikimin e marrëveshjes.
Sot do të jetë tentimi i katërt për ta ratifikuar një dokument i cili sipas zyrtarëve të BE-së, cilësohet si çelës për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.