Zjarri i një dite më parë në fshatin Miletinë në Komunën e Bërvenicës, është aktivizuar përsëri gjatë natës dhe është shpërndarë në disa drejtime.
Zjarri ka përfshirë barin, pyjet përreth dhe ka djegur disa pisha. Gjatë ditës janë aktivizuar dy aeroplanë për shuarjen e zjarreve dhe një helikopter policor.
Era e vazhdueshme dhe bari i thatë e vështirësojnë shuarjen e plotë të tij.
“Shuarja e këtyre zjarreve është posaçërisht e vështirë prandaj apeloj fuqishëm te bujqit që të jenë shumë të kujdesshëm kur i vënë flakën kashtës, edhe pse nuk guxojnë t’u vënë flakën, por edhe te qytetarët. Ky zjarr është rezultat i djegies së një deponie të egër këtu”, tha Stojanço Angellov, kryetar i Qendrës për Menaxhim me Kriza./ Alsat.mk