Në ditën e të Pagjeturve të Kosovës, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë nderime te Memoriali që iu dedikohet atyre.
Ai është shprehur me dhembshuri për fatin e tyre dhe të familjeve të tyre që tash e tetëmbëdhjetë vite kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të ngulmojnë në Bruksel dhe të bëjnë presion te Beogradi që kufomat e të afërmve të gjinden.
Kreu i shtetit ashtu repetitiv siç është, bëri të njëjtat deklarata si gjithnjë. Ai tha se institucionet tona dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjnë maksimumin për ndriçimin e këtij aspekti ‘të ndjeshëm etik dhe njerëzor’. Por Thaçi nuk ishte aspak i ndjeshëm ndaj të zhdukurve dhe familjarëve të tyre.
Procesi dialogues me Serbinë ka nisur më 2011, dhe Thaçi si kryedialogues i Kosovës asnjëherë nuk ka shfaqur ngulmimin e nevojshëm përballë Brukselit dhe Beogradit.
Ai sot tha që tema e të zhdukurve duhej të shtrohej në nivele më të larta, edhe në Bruksel. Koha në të cilën thuhet kjo deklaratë e bën tallëse për familjet e personave të zhdukur qëndrimin e presidentit. Ai po përpiqet të legjitimohet sërish si kryedialoguesi i Kosovës në fazën finale të procesit me Serbinë – dhe harroi se thënë figurshëm ishte zhdukur për të zhdukurit për shtatë vjet rresht.
A mund t’i besohet? Meqë faza finale do të jetë ekskluzivisht politike është e zorshme të mendohet se Thaçi do të lejohet tashmë të hapë një temë të tillë. Po të ishte një dialogues i mirë dhe i përgatitur ai tashmë do ta kishte shtruar çështjen dhe të zgjidhej çështja e të zhdukurve që do t’i garantonte njëfarë legjitimiteti. Por, këtë nuk e ka bërë. Prandaj, një deklaratë e tillë është thellësisht hipokrite dhe tregon edhe më mirë pse Thaçi nuk duhet të udhëheqë dialogun final me Serbinë.