Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup informon opinionin publik se regjimi i ri kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut do të operacionalizohet në mesin e muajit prill 2025. Prolongimi disa ditor është bërë me qëllim të përgatitjeve finale teknike e logjistike të ekipeve të cilat janë duke punuar intenzivisht në zbatimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme ndërshtetërore.

Rikujtojmë se regjimi i ri kufitar do të jetë sipas modelit “hyrje-hyrje” ku kontrollat do të realizohen vetëm në hyrje nga policia respektive e shtetit kurse policët do të punojnë në një objekt të përbashkët. Zbatimi i saj do të jetësohet paralelisht në pikat kufitare Hani i Elezit/Bllacë dhe Glloboqicë/Jazhincë. Ky model pritet që të zvogëloj pritjet dhe është në funksion të lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve të dy shteteve të cilët qarkullojnë çdo herë e më shumë në dy drejtimet.