“Non-paper”, pasojë e pazareve Vuçiq-Thaçi-Rama për ndarje të Kosovës

Bëri shumë bujë dokumenti joformal (non-paper). Fillimisht u pretendua se ishte përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si një nismë për përmbylljen e bisedimeve Kosovë – Serbi. Pasi kjo gjë u demantua nga Gjermania dhe Franca, gjithsesi nuk e ka shuar zjarrin e ndezur nga ata që kanë qenë pro ndarjes së Kosovës. Natyrisht se një dokument i tillë është në favor të Serbisë dhe Rusisë, në këtë kuptim edhe është i kuptueshëm entuziazmi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka folur me tone pozitive për zgjidhjet që ofron dokumenti i debatueshëm, përfshirë këtu edhe çështjen e shumëpërfolur të bashkësisë së komunave me shumicë serbe të popullsisë.

Dokumenti flet për themelimin e një “distrikti autonom” në veriun e Kosovës si dhe që Kosova dhe Serbia të njohin tërësinë tokësore dhe sovranitetin e njëra tjetrës. Natyrisht se një gjë e tillë është kundër Kosovës, kundër pavarësisë së saj, krejtësisht si rrjedhojë e pazareve të bëra nga treshja Vuçiq-Thaçi-Rama.

Pikërisht për këtë të fundi ka shkruar edhe gazeta austriake ‘Der Standard’, e cila në një artikull kushtuar dokumentit jo-zyrtar të ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, citon kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili ka deklaruar ta ketë parë non-paper-in dhe hartën me ndryshimet e propozuara të kufijve. Der Standard shkruan më tej se vet Rama, së bashku me Vuçiç, miratuan vizatimin e kufijve përgjatë vijave etnike midis Kosovës dhe Serbisë tre vjet më parë.

Pasi kjo tezë u kundërshtua fort nga Gjermania dhe shtete tjera, por edhe nga politikanët e Kosovës, përveç Hashimit, kjo tezë duket në rënie të lirë. Kjo tezë është mjaft e rrezikshme, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe Daniel Serwer, që ka thënë se “Non-paperi” e bën Kosovën më pak sovrane, Serbisë i ofron marrëveshje të mirë. Ky dokument është në favor të Serbisë, pasi ndër të tjerat thuhet se Kisha Ortodokse Serbe do të këtë “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të marrëveshjes ligjërisht detyruese “nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale”.

Ky dokument jo rastësisht është publikuar së fundi, pikërisht në kohën kur po kërkohet që Kosova të bisedojë me Serbinë. Ky dokument mund dhe ka si qëllim që Serbia të jetë në pozitë më të favorshme se Kosova në bisedime, me këtë dokument të cilin ajo do e paraqes si “dokument i konsensusit për marrëveshje finale Kosovë-Serbi”. Këtij dokumenti fatkeqësisht i kanë kontribuar edhe politikanët shqiptarë Hashim Thaçi dhe Edi Rama.

Derisa Rama e ka mohuar këtë gjë, Hashimi në anën tjetër nuk arrinte të jetë bindës në atë së është ndarje apo shkëmbim, megjithëse ka qenë pjesë e këtij plani famëkeq për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Qeveria aktuale e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme mos të bie pre e këtij dokumenti anti Kosovë, me kujdesin maksimal. Fatmirësisht Hashimi më nuk është në krye të shtetit, rreziku është më i vogël, ani se gjurmët e planeve të errëta vazhdojnë të rrinë si re mbi qiellin e Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme