Sipas gazetës serbe ‘Novosti’ në këtë skenar janë të përfshirë edhe një pjesë e autoriteteve në Maqedoni.
Më tej, thuhet se grupe të armatosura të shqiptarëve janë të pranishme në një zonë kufitare midis Serbisë dhe Maqedonisë. Sipas burimeve thuhet se ata janë të veshur me uniforma serbe, ushtarake dhe policore, transmeton lajmi.net.
Detyra e tyre është të kalojnë kufirin maqedonas, thotë gazeta beogradase duke iu referuar informacionit që ka marrë nga operativë në terren.
Këta operativë kanë deklaruar se plani është që këta persona me uniforma serbe të hyjnë në territorin maqedon dhe më pas të nxisin tensione për të cilat Serbia ishte akuzuar për shkelje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Maqedonisë. Kjo do të interpretohet se serbët janë duke u përpjekur për të organizuar një kryengritje të armatosur në Maqedoni.
Qëllimi është të krijohet konfuzion dhe tension e më pas kjo të kalojë edhe në Kosovë, thotë burimi i ‘Novostit’. Sipas tyre të përfshirë në këtë janë edhe zyrtarë të lartë të Maqedonisë.
Shkrimi vazhdon duke thënë se ky skenar hedh hije mbi deklaratat e fundit nga ana e kryeministrit maqedon, Zoran Zaev i cili tha se janë në bisedime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mes dy vendeve.
Megjithatë, informacioni i sigurisë tregon se kjo është vetëm një iluzion i normalizimit të marrëdhënieve për shkak se autoritetet në Shkup kanë interes për të hapur një paketë të re akuzash kundër Serbisë. Pas këtyre të gjithave është presioni shqiptar në qeverinë e re të Maqedonisë, përfundon gazeta serbe./Lajmi.net/