Nuk do të gjobiten kompanitë që morën energji të lirë dhe nuk i ulën çmimet

Gazetar: Ile Petrevski

Qeveria nuk dëshiron t’i kundërshtojë kompanitë e ushqimit dhe të sanksionojë ata që kanë shfrytëzuar energjinë e subvencionuar dhe nuk i kanë ulur çmimet për qytetarët. Kryeministri Dimitar Kovaçevski prej disa ditësh po përpiqet t’i shpjegojë opinionit se biznesmenët e pandërgjegjshëm nuk do të marrin gjoba nga shteti me arsyetimin se ka pasur vetëm një marrëveshje xhentëlmen që nuk është respektuar nga shumica e kompanive ndërsa për të pasur gjoba është nevojitur ligj.

“Në një vend ku sundon demokracia dhe ligji, masat merren në bazë të marrëveshjeve me odat ekonomike, ose merren në bazë të vendimeve ligjore kur bëhet fjalë për kufizime çmimesh apo akciza, taksa etj”, tha Kovaçevski.

Pyetja ime ishte: I qeverisë ishte vendimi për të ngrirë çmimin e bukës, vendimi ishte edhe t’ju jepet energji elektrike më e lirë. Tani a mund të dënohen për ngrirjen e çmimit, por nuk mund të dënohen për shkelje të marrëveshjes?

“Nuk ka ligj, ka vetëm vendime”, u përgjigj Kovaçevski.

“Sepse ishte marrëveshje xhentëlmen”, tha Kovaçevski.

Por në të njëjtën mënyrë, pa zgjidhje ligjore, por me vendim të Qeverisë, janë ngrirë një pjesë e çmimeve të produkteve bazë ushqimore. Inspektimi i tregut tashmë ka dalë me të dhëna se ka shkruar gjoba për ata tregtarë që nuk e respektuan këtë rregull.

“Në bazë të vendimeve të Qeverisë për përcaktimin e çmimeve më të larta për produkte individuale në tregti, Inspektorati i tregut nga data 16 deri më 18 mars 2023 ka kryer mbi 350 kontrolle në tërë territorin e Maqedonisë. Nga kontrollet është konstatuar se janë respektuar vendimet, përveç gjashtë subjekteve ekonomike, për të cilët janë lëshuar urdhërpagesa në vlerë prej më shumë se 1.275.000 denarë”, njoftojnë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut

Qeveria shpenzoi disa milionë euro para publike për të ofruar energji elektrike më të lirë në sektorin ushqimor, por i obligoi kompanitë t’i ulin çmimet e produkteve të tyre me të paktën 10 për qind. Këtë masë e respektuan vetëm 15 për qind e rreth 300 kompanive që merrnin energji elektrike pesë herë më të ulët se ajo në bursë. Tashmë shteti nuk ka asnjë mekanizëm për të mbledhur paratë e qytetarëve, me të cilat biznesmenët e pandërgjegjshëm bënin fitime shtesë. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme