Janë tre holandezë në pranga për sherrin tek pedonalja ku mbeti i plagosur një i ri shqiptar. Dy prej tyre dolën dje para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ndërsa i treti u arrestua nga policia me kokainë.
Ai pritet të dalë para gjykatës ditën e nesërme. Dy të tjerët do të mbahen 15 ditë në paraburgim deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg me afat 15 ditë për dy tifozët holandezë të cilët u përfshinë në një konflikt një ditë para finales mes Romës dhe Feyenoord.
Avokati i tifozëve u shpreh se Gjykata është në pritje të akt ekspertimit të dëmeve që janë shkaktuar të dëmtuarve nga konflikti fizik.
Mbrojtësi ligjor këmbënguli se dy tifozët holandezë nuk janë ata autorët e goditjeve, megjithëse kanë qenë prezent në tavolinë.
“Janë thjesht 2 të rinj që kanë kryer veprime shumë normalë. Ata janë të shqetësuar dhe janë në pritje të aktit të ekspertimit. Ata thonë që nuk janë ata që kanë kryer goditjen vendimtare për të dëmtuarin. Ata thonë se nuk kanë qenë të dehur, por thjesht kishin pirë një birrë. Kanë qenë të ulur në tavolinë dhe më pas janë konfliktuar” tha avokati./GSH