Robert Necaj, vrojtuesi i plazhit që shpëtoi motër e vëlla nga mbytja pak ditë më parë rrëfeu për Euronews Albania momentet e vështira të përjetuara në det të hapur kur iu desh të luftonte për jetën e vet dhe të dy fëmijëve.
Ai tregoi se si kishte rrezikuar jetën e tij, duke marrë disa goditje nga fëmijët (adoleshentë) të cilët disa herë e kishin zhytur në ujë në përpjekje për të shpëtuar jetën e tyre.
“Ishin futur në një zonë shumë të rrezikshme, vajza po i thërriste vëllait të kthehej. Vëllai po dridhej, kishte kriza epilepsie. Motra po përpiqej të shpëtonte vëllanë. Papritur sulmohem nga motra me mjetin e shpëtimit që i kisha dhënë. Ishte godite e pavullnetshme, ajo ishte duke u mbytur, u trondita. më tej motra na zhyti të dyve në përpjekje për të shpëtuar. Më pas u godita edhe nga vëllai”, rrëfeu i riu.
Por pasi kishte mundur t’i nxirrte në breg shëndoshë e mirë, ishte lënë pa shenja jete pasi askush nuk i kishte dhënë asnjë ndihmë.
Ai tha se nuk ka pasur më asnjë kontakt me fëmijët të cilëve u shpëtoi jetën, as më familjarë të tyre, por shprehet shumë i lumtur që mundi t’i shpëtonte./GSH