E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka ndarë një rrëfim prekës në Facebook, duke treguar se pas shumë vitesh është rikthyer në një nga vendet ku përjetoi krimin që, siç thotë ajo, ia ndryshoi jetën përgjithmonë.
Në postimin e saj, Krasniqi-Goodman shkruan se është kthyer në shtëpinë ku, si një vajzë 16-vjeçare, përjetoi për herë të dytë tmerrin e dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Ajo tregon se shtëpia e parë ku ndodhi krimi nuk ekziston më, por kjo shtëpi ende qëndron. Megjithatë, tha se nuk ka mundur të hyjë brenda saj pasi dikush ishte në oborr duke punuar.
“Doja të hyja në dhomën ku ndodhi krimi, në dhomën ku mbetën të varrosura britmat, frika dhe pafuqia e një vajze të re. Nuk munda. Në oborr ishte dikush duke punuar. Qëndrova jashtë dhe bëra vetëm një fotografi”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Është një vend ku më morën pafajësinë, sigurinë dhe një pjesë të shpirtit tim”, shprehet Krasniqi-Goodman.
“Dhe sot, më shumë se kurrë, zemra ime ndihet e thyer”, përfundon rrëfimin e saj e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës



