Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në Policinë e Shtetit, efektivi Gjovalin Frroku punonjës në burgun e Shënkollit ka ndërruar jetë pasi problemeve me zemrën. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar sindikata e shërbimeve policore të Shqipërisë ku thuhet se efektivi nuk ishte dërguar për një mjekim të specializuar.
Efektivi u dërgua në urgjencë pas përfundimit të turnit por rezultoi shumë vonë. Ndërsa sindikata në reagimin e bërë, paralajmëron protesta.
Postimi i plotë nga sindikata e shërbimeve policore të Shqipërisë:
Vdekjet nuk ndalen në policinë e burgjeve..!
Shuhet dhe një punonjës tjetër në sistemin e burgjeve..! Situata e rëndë e gjendjes shëndetësore dhe psikologjike në policinë e burgjeve, vazhdon të marrë jetët e punonjësve.
Dje, përgjate shërbimit në turnin e 3-te në ievp Shenkoll, i ndjeri Gjovalin Frroku, ka kërkuar ndihmën e urgjencës për shkak të problemeve në zemër dhe dërgimin në spitalin e Lezhës. Kjo ka ndodhur në orën 03 të mëngjesit. Si gjithnjë, janë mjaftuar me një kontroll rutine nga mjeku i gatshëm dhe nuk kanë lejuar që i sëmuri të dalë për kontrolle të mëtejshme në spital. Është lënë në gjendje të tillë deri sa ka mbaruar shërbimin dhe pastaj kolegët e kanë dërguar në urgjencën e spitalit të Lezhës, ku menjëherë e kanë orientuar për në urgjencën spitalore të Tiranës. Por, zemra nuk pret mbarim shërbimi e burokraci eprorësh, pasi gjatë rrugës për Tiranë, punonjësi ka ndërruar jetë.
Vdekjet dhe problemet shëndetësore nuk kanë të sosur në Policinë e Burgjeve dhe punonjësit me të drejtë kërkojnë që sa më parë të reagojmë me protestë para institucioneve në bulevardin e Tiranës. Kjo gjendje është paralajmëruar me kohë nga Sindikata, por siç duket ka më shumë rëndësi politika e ditës, sesa jeta e punonjësit!
Mungesa e mjekut të punës sipas ligjit, mungesa e trajtimit ushqimor, mungesa e uniformave, pagat e ulëta dhe demotivimi në shërbim, po sjellin pasoja të rënda!
Nuk dimë se sa do vazhdojë kjo gjendje dhe kush mban përgjegjësi për situaten e krijuar ndër vite, pasi deri më sot ata që kanë hequr të drejtat legjitime të punonjësve, vazhdojnë të bëjnë shoë duke betonuar paudhësitë e tyre në kurriz të mijëra kolegëve me uniformë! Po marrim mesazhe nga dhjetëra punonjës në sistem, të cilët po kërkojnë një datë proteste për denoncim situate. Po tallen edhe me heqjen e taksës mbi pagën 30-40 mijë lekë e përgjysmim të saj për pagat 40-50 mijë. Vkm dhe Kryeministri kanë folur qartë për gjithë Administratën Publike, ku bën pjesë edhe Policia e Burgjeve, se me 1 Qershor fillojnë efektet në favor të punonjësve! Nëse nuk implementohet kjo VKM në favor të Policisë Burgjeve, Sindikata do shpalle datën e protestës dhe vendin ku do zhvillohet ajo! Dikush duhet dhe do mbajë përgjegjësi për situatën e rëndë që vazhdon prej vitesh!
Ngushëllime të ndjera për familjen e punonjëesit të policisë së burgjeve Gj.Frroku!/GSH



