Gjykata Kushtetuese ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje është duke e trajtuar me urgjencë.
Lëvizja Vetëvendosje më 30 prill kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit Hashim Thaçi për Avdullah Hotin si kandidat për kryeministë, shkruan lajmi.net.
Vetëvendosje e kishte ndërmarrë këtë veprim duke pretenduar se presidenti Hashim Thaçi kishte bërë shkelje të qëllimshme të Kushtetutës me dekretimin e Avdullah Hotit.
Si rrjedhojë, Kushtetuesja kishte marrë vendim për pezullimin e dekretit në fjalë deri më 29 maj, kur edhe është data e fundit që ky institucion do ta marrë vendimin final.
Në një përgjigje për lajmi.net, nga Gjykata Kushtetuese kanë bërë të ditur se lëndën e Vetëvendosjes janë duke e trajtuar me urgjencë dhe se do të dalin me një vendim pas ditës së premte.
“Në komunikatën për media të publikuar më 1 maj 2020, Gjykata e ka bërë të qartë se këtë lëndë është duke e trajtuar me urgjencë dhe prioritet. Pasi që të pranojë komentet nga të gjitha palët e interesit përkitazi me meritat e kërkesës (sipas afatit të përcaktuar deri të premten, më 8 maj 2020) dhe pasi që të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të palëve, Gjykata do të marrë vendim meritor përkitazi me kërkesën në tërësi”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtuese dhënë për lajmi.net, duke mos specifikuar ndonjë ditë apo datë të saktë.
Në anën tjetër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar edhe Komisionit të Venecias në lidhje me dekretimin e Avdullah Hotit, thënë ndryshe në lidhje me kushtetutshmërinë e veprimit të presidentit Thaçi për dekretimin e Hotit.
Mirëpo, gjatë së martës Komisioni i Venecias ka vlerësuar se një interpretim i tij në kërkesën drejtuar nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, për të interpretuar kompetencat e presidentit rreth shpërbërjes së Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, do të ishte cenim i autoritetit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.