Nuk u ftua Kosova, Shqipëria e Maqedonia bojkotojnë ministralin në Banjallukë

Shqipëria nuk do të marrë pjesë në Konferencën e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, që nis sot në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në këtë konferencë, që ka për tematikë “Ballkani Perëndimor dhe anëtarësimi në BE: bashkëpunim më i fuqishëm rajonal për një proces më të shpejtë të integrimit evropian”, organizuar me iniciativë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, parashikuar për t’u mbajtur më datë 23 shkurt, në Banjallukë.

Zëdhënësja e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edlira Prendi, ka bërë të ditur për “Kohën Ditore” se ministri Bushati ka informuar me një letër homologun e tij boshnjak Igor Crnadak, në të cilën shpreh keqardhjen e tij për mosrespektimin e formatit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ftesën e munguar për Kosovën, duke bërë me dije në këto kushte mospjesëmarrjen e tij në këtë takim. Në argumentimin e vet, ministri Bushati i ka komunikuar ministrit Crnadak se nuk mund të ketë diskutim kuptimplotë dhe të dobishëm mbi rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, pa qenë të pranishëm të gjithë anëtarët e Ballkanit Perëndimor, në frymën e mirëkuptimit, respektit dhe gjithëpërfshirjes.

Shkaku i Kosovës, edhe zv.kryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, ka refuzuar ftesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës për të marrë pjesë në takimin e së premtes, që do të mbahet në Banjallukë. “Edhe me gjithë faktin se konfirmova prezencën time në atë konferencë, pasi që kuptova se Kosova nuk është ftuar vlerësova edhe si zv.kryeministër i Maqedonisë se nuk do të ndihmojë procesin një konferencë, në të cilën nuk do të marrë pjesë një prej gjashtë shteteve, prandaj edhe i informova organizatorët se nuk do të merrja pjesë në konferencë”, theksoi dy ditë para mbajtjes së mbledhjes zv.kryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme